Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 15:53

Prishtinë – Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, mbështetet në vullnetin plebishitar të popullit i cili është i përhershëm dhe i panegociueshëm, tha sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

“Kosova po e vazhdon procesin e njohjeve të pavarësisë së saj nga shtetet e tjera me synimin që të arrije numër të respektuar të njohjeve dhe të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mënyrë që sa më shpejt të bëhet anëtar i OKB-së dhe i BE-së”, theksoi ajo.

Presidentja Jahjaga foli sot në një akademi solemne të Kuvendit të Komunës të Prishtinës, në 12-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit të Kosovës. E shoqëruar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, fillimisht ajo bëri nderime, duke vënë kurora lulesh para varrit të Presidentit të parë dhe historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në Velani, pastaj te varrezat e dëshmorëve në të njëjtën lagje, si dhe para shtatores së heroit të kombit Zahir Pajaziti në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit.

Presidentja Jahjaga çmoi lart angazhimin, politikën dhe vizionin e Presidentit Rugova, si ideator i pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Rugova ishte ideatori i politikës për liri, pavarësi dhe demokraci dhe këto janë bazat edhe të shtetit të pavarur të Kosovës, që e kemi sot”, theksoi ajo.

Presidentja Jahjaga ka ritheksuar idenë që në kryeqytetin e Kosovës të ndërtohet një obelisk, përkatësisht një monument, i cili simbolizon rrugëtimin e lirisë, unitetin e popullit dhe përkrahjen ndërkombëtare.