Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 13:32

Tiranë, Prishtinë – Personalitete të larta të politikës, në Kosovë e Shqipëri e kanë ngushëlluar familjen Kelmendi, me rastin e vdekjes së deputetes dhe ish-ministres kosovare, Nekibe Kelmendi.

Veç Presidentit Topi, ngushëllime kanë përcjellë edhe Presidentja kosovare Atifete Jahjaga, kryeministrat Thaçi e Berisha dhe shumë liderë të tjerë politikë.

Një jetë e shkrirë për idealin kombëtar, e vlerësoi Nekibe Kelmendin sot në një mbledhje komemorative Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtetndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike”, tha Presidentja, duke shtuar se “vizioni i saj mbeti – Republika e Kosovës, shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ajo më tej tha se “Familja Kelmendi flijoi më të dashurit e saj në altarin e lirisë së atdheut, dhe të gjithë ne mbeteshim të stepur përpara stoicizmit të kësaj nëne, bashkëshorteje dhe motre, që na jepte kurajë t’i kapërcejmë traumat e së kaluarës, duke mos pasur fije të urrejtjes në shpirtin e saj të mbushur me plot dashuri dhe humanizëm”.

“Kosovës do t’i mungojë zonja Nekibe Kelmendi dhe plejada e njerëzve që u shkrinë për idealin kombëtar, por Kosovës do t’i jetë udhërrëfyese e përhershme që sa herë të vihet në vështirësi”, tha në mbledhjen komemorative Presidentja Jahjaga.

Lidhja Demokratike e Kosovës organizon tubim komemorativ me rastin e vdekjes  së Nekibe Kelmendit, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e kësaj partie.

Ndërsa pasdite Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në një seancë komemorative dhe në hollin e Kuvendit do të bëhen homazhe në nderim të deputetes dhe ish-ministres, Nekibe Kelmendi.