Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 20:16

Prishtinë – Pas kthimit, sot, nga Roma në Prishtinë, Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga, theksoi se në fjalën e mbajtur në konferencën “Qyteti ndëretnik”, në ditën e parë të vizitës në Romë, kishte ritheksuar se ne të gjithë i themi jo opsionit të ndarjes së Kosovës.

“Historia e Kosovës është e dhimbshme dhe ne nuk duam që ajo të përsëritet. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri në të cilën të gjithë do ta ndjejnë veten në shtëpi dhe në të cilën të gjithë do të ndjejnë përgjegjësinë për arritjet e vendit të tyre”, është shprehur Presidentja Jahjaga.

“Ne nuk i kuptojmë propozimet dhe kërkesat për ndarje të reja të territorit përgjatë vijave etnike, të cilat në thelb janë një përplasje e ideologjisë së të kaluarës me vlerat evropiane dhe ndërkombëtare të së sotmes. Ne të gjithë i themi jo këtij opsioni. Së bashku me Bashkimin Evropian, ne jemi duke punuar në forcimin e demokracisë dhe vlerave evropiane në Republikën e Kosovës, për mirëqenien e njerëzve dhe perspektivave të tyre për një jetë më të mirë dhe të lirë”, ka theksuar presidentja kosovare në konferencën në Romë.

Duke folur më tej në konferencën “Qyteti ndëretnik” ajo ka shtuar se “procesi i pajtimit nganjëherë është i ngadaltë dhe i vështirë, por të gjithë janë të vetëdijshëm se nuk ka alternativë tjetër dhe mësimet nga e kaluara duhet të mbahen mend që mos të përsëriten sërish”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u kthye sot në Kosovë pas vizitës zyrtare në Itali, ku me ftesë të presidentit Italian Giorgio Napolitano, mori pjesë në festimin e 150 vjetorit të Bashkimit kombëtar Italian dhe në konferencën ndërkombëtare “La Citta Interetnica” (“Qyteti ndëretnik”).

“Gjatë kësaj vizite, me ftesën e Presidentit të Italisë, z.Napolitano, pata takime bilaterale me presidentë të shteteve të tjera që merrnin pjesë në këtë ceremoni, në të cilat kërkova angazhimin e tyre për përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës në anëtarësimin në organizatat rajonale dhe globale”, deklaroi ajo.

Në konferencën për shtyp në Aeroport, Presidentja Jahjaga ka shprehur keqardhje për vendimin e FMN-së në lidhje me abrogimin e vendimit për marrëveshjen ‘stand by’”, duke shtuar se “do t’i inkurajoj të gjitha institucionet vendore që sa më shpejt të jetë e mundur t’i përmbushin kushtet dhe obligimet e tyre ligjore, në mënyrë që të mund ta marrim hapin drejt arritjes së marrëveshjes sa më shpejt që është e mundur”.