Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 14:49

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese përmbajtjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për Asociaocionin e Komunave me shumicë serbe.

Burime të sigurta të Top Channel, të konfirmuara nga pozita dhe opozita, kanë treguar se presidentja Jahjaga u ka propozuar liderëve të pozitës dhe opozitës që në kuadër të kompetencave kushtetuese që ka dhe për shkak të gjendjes së krijuar, ajo vetë t’i drejtohet Gjykatës për t’i kërkuar shpjegime rreth marrëveshjes për Asociacionin e Komunave.

Jahjaga do të konsultojë edhe sot pasdite përfaqësuesit pozitës dhe opozitës dhe nëse pajtohen të dyja palët, Presidentja po mendon që lëndën në Kushtetuese ta depozitojë të premten, para fillimit të seancës parlamentare.

Zyra e Presidentes Atifete Jahjaga nuk ka dashur të flasë në detaje për propozimin e Jahjagës, por ka treguar për Top Channel se Presidentja është në konsultim me partitë parlamentare dhe po vlerëson ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm.

Top Channel ka mësuar se kjo ide kompromisi e Presidentes ka gjetur mbështetjen edhe të ambasadave të kuintit, ndërsa nga data e depozitimit në Kushtetuese, kjo Gjykatë ka në dispozicion 60 ditë për të kthyer përgjigje.