Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 19:26

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot diplomatin gjerman Wolfgang Ischinger.

Ischinger e uroi presidenten Jahjaga për zgjedhjen në krye të shtetit dhe vlerësoi angazhimin e saj.

Ai tha se Kosova ka shënuar përparime në shumë fusha nga pavarësa e saj dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të përmbushjes së standardeve për integrimin evropian. Diplomati gjerman theksoi se është optimist për të ardhmen e Kosovës dhe perspektivën e saj evropiane.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e përgëzoi diplomatin gjerman, Ischinger, për titullin Doctor Honoris Causa, me të cilin e nderoi sot Universiteti i Prishtinës dhe vlerësoi kontributin e tij dhënë çështjes së Kosovës.

Ajo e njoftoi zotin Ischinger se do të krijojë Grupin “Miqtë e Kosovës” pranë Presidentes, ku do të marrin pjesë figurat e shquara ndërkombëtare, të cilët do të lobojnë dhe do të punojnë për imazhin e vërtetë të Kosovës, përfundon njoftimi.

Diplomati gjerman Wolfgang Ischinger ishte i dërguari i BE-së në treshen e Grupit të Kontaktit për angazhimet shtesë 120-ditëshe për statusin e Kosovës.