Lajme Shqip Monday, 11 February 2013 19:14

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti të hënën në një takim Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të shoqëruar nga koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Blerim Shala.

Thaçi e informoi Jahjagën për raundin e ardhshëm të dialogut që do të zhvillohet në Bruksel më 19 shkurt, për temat që do të diskutohen, për marrëveshjet që synohen të arrihen, si dhe për delegacionin e ekspertëve nga Kosova që do të marrin pjesë.

“Presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi biseduan edhe për manifestimet me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për përgatitjet që janë duke u bërë që ky përvjetor të organizohen dhe ta prezantojë shtetin në mënyrë dinjitoze”, thuhet në një njoftim të Presidencës.

Presidentja dhe kryeministri i Kosovës biseduan edhe për rrjedhat e reformës zgjedhore, si dhe për miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës të rëndësishme për plotësimin e kritereve nga agjenda evropiane për Kosovën.(LajmeShqip.com)