Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 15:22

Presidentja Atifete Jahjaga thotë se sot është ditë e veçantë për shtetin, pasi është nënshkruar Marrëveshja për Stabilizim Asocim me Bashkimin Evropian, raporton lajmi.net.

“Sot është një ditë shumë e veçantë për Republikën e Kosovës. Në një ceremoni të organizuar në Strasburg, Kryeministri i Kosovës dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.

Jahjga thotë se përmes kësaj marrëveshje “Kosova sot nisë rrugëtimin e saj të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në familjen e shteteve që ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit”.

“Uroj përzemërsisht qytetarët e Kosovës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Ky përparim është rezultat i reformave të përmbushura dhe konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik që gëzon agjenda evropiane në Kosovë. Arritëm këtu, deri te kjo ditë historike për Kosovën, me angazhim të gjerë të qytetarëve, institucioneve, spektrit politik, shoqërisë tonë civile, komunitetit të biznesit e shumë segmenteve tjera të shoqërisë”, thotë Jahjaga.

E para e vendit thotë se me nënshkrimin e MSA-së, Kosovës i vijnë edhe detyrime, por ajo shton se kjo marrëveshje do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë si dhe “do thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe BE-së”.

Presidentja thotë se “përfitimet e Kosovës janë të shumta, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit”.

“I shpreh mirënjohjen time institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për mbështetjen e vazhdueshme për rrugën e qartë evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Kosova ka një rrugë të gjatë përpara që kërkon shumë përpjekje nga ana jonë deri në cakun final të anëtarësimit. Ne jemi përcaktuar në anën e drejtë të historisë dhe kemi përqafuar vlerat dhe idealet e paqes e lirisë. Kjo rrugë tashmë është e qartë, reciproke dhe e pakthyeshme”, thotë Jahjaga.