Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 12:50

Burime të besueshme të Telegrafit bëjnë me dije se nëse opozita edhe sot vendos të bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, atëherë do të vihen në funksion forcat e sigurisë për mbarëvajtjen e seancës.

Sipas burimeve të Telegrafit ka një pajtueshmëri të Qeverisë dhe Kuvendin të Kosovës që deputetët të cilët e pengojnë mbajtjen e seancës të largohen më forcë nga salla e Kuvendit.

“Frikësohem se pas këtij veprim–largimit eventual më forcë të deputetëve të opozitës nga Kuvendi i Kosovës do të kemi eskalim të situatës, ku më pastaj mund të shohim edhe ballafaqim fizik në mes deputetëve, që e cila mund të ndikojë edhe të protestuesit e opozitës që pritet të jenë jashtë Kuvendi”, ka theksuar për Telegrafin një deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, ka më tepër se një muaj që Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional, për shkak se opozita kosovare ka penguar punën e Kuvendit, pasi kërkojnë nga kryeministri Isa Mustafa të tërhiq nënshkrimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe të rishqyrtohet çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.