Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 17:45

Tiranë- Vitin e ardhshëm, drejtuesit eprojektit të gazit TAP do të nisin ndërtimin e rrugëve në zonat nga ku do të kalojë rrjeti i gazit në Shqipëri, në mënyrë që të jetë gati për ndërtimin e tubacionit në vitin 2015. Burime të Trans Adriatic Pieline (TAP). Ata thanë se në muajin shtator ka nisur procesi i shërbimeve dhe blerjen e tokës (LEA) në Greqi dhe Shqipëri, ku ekipet e punës po punojnë intensivisht për të identifikuar pronarët e ligjshëm në zonat nga ku kalon tubacioni, shkruan në numrin e së shtunës gazeta Shekulli.

Përveç diversifikimit në furnizimin me gaz për Europën, tubacioni i TAP-it do të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për Europën Jugore, veçanërisht edhe për Shqipërinë.Sipas një studimi të pavarur të “Oxford Economics”, në Shqipëri, zbatimi i TAP do të kushtojë përafërsisht 1 miliard usd çka do të nxisë aktivitetin ekonomik në tërësi dhe në zonat ku do të kalojë. Përfitimet lidhen edhe me punësimin, mbajtjen dhe krijimin e infrastrukturës, zhvillimin e potencialeve lokale dhe aftësitë.

Sipas studimit, ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit do të arrijë kulmin në vitin 2017, pasi pritet që aktiviteti nga TAP të gjenerojë 57 milionë euro për PBB-në shqiptare, të krijojë 4.200 vende pune në vit, me kohë të plotë e të pjesshme.Nga studime të pavarura, nga zbatimi i projektit TAP Greqia do të mund të injektojë në ekonomi 1.5 miliardë euro, do krijohen rreth 2,000 vende pune të drejtpërdrejta dhe rreth 10,000 në mënyrë jodirekte si dhe një sinjal pozitiv për investitorët e huaj.

Aktualisht Shqipëria ka një prodhim minimal të gazit natyror, rreth 4-5 milionë m³, një sasi gati e parëndësishme dhe që shërben vetëm për të furnizuar proceset teknologjike të rafinerisë dhe industrisë së naftës. Pavarësisht përpjekjeve dhe inkurajimit të investitorëve të huaj, Shqipëria nuk është ende e lidhur me rrjetin ndërkombëtar të gazit, që kur të bëhet, do të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e situatës së energjisë në vend dhe ndikim shumë pozitiv në përdorimin me kursim të energjisë së përfituar nga produktet e naftës dhe energjisë elektrike.Shqipëria, përveç projektit TAP, synon dhe projektin e gazsjellësit Jon Adriatik, (IAP), që lidhet me planet e zhvillimit të rrjetit të gazit natyror në Ballkanin Perëndimor, nga Kroacia në Bosnjë & Hercegovinë, Mal të Zi dhe Shqipëri.

Projekti IAP do të jetë gjithashtu pjesë e Unazës së gazit të Komunitetit të Energjisë, si një projekt rajonal, i aprovuar nga Komuniteti i Energjisë dhe BE. Projekti i gazsjellësit IAP është aktualisht në fazën e kryerjes së studimit të fizibilitetit, me një fond prej 3 milionë eurosh nga BE.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt i tubacionit të gazit natyror. Tubacioni do të niset nga Greqia, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe Detin Adriatik dhe do të përfundojë në jug të Italisë, duke lejuar që gazi të rrjedhë drejtpërsëdrejti nga rajoni i Detit Kaspik drejt tregjeve evropiane./albeu/