Lajme Shqip Sunday, 01 November 2015 09:50

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në një letër publike drejtuar kryetarit aktual të Kuvendit, Kadri Veselit ka shkruar se këshilltarët e Veselit, opozitës si tërësi dhe as deputetëve individualisht nuk e kanë asnjë të drejtë t’ua interpretojnë Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Ai ka shkruar se Rregulloren e Punës së Kuvendit e Interpreton Kryetari e jo këshilltarët e tij.

Ja letra e plotë publike e Jakup Krasniqit

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Veseli,

Ishin zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës ato që më shtynë t’i them disa fjalë, natyrisht, jo në cilësinë e opozitarit por në atë të ish Kryetarit të Kuvendit.

Këtë e bëj për të mbrojtur Kuvendin si institucion dhe Kryetarin.

Për më shumë se shtatë vjet kam qenë Kryetar i Kuvendit, gjatë gjithë atyre viteve këshilltarët e mi në asnjë rast të vetëm nuk janë marrë as me opozitën dhe as me punën apo sjellen e deputetëve. Ata nuk janë këshilltar të Kuvendit si institucion.

Këshilltarët e Kryetarit të Kuvendit janë për të këshilluar Kryetarin dhe ndihmuar në punët dhe përgjegjësitë e tij të përditëshme. Për faktin se vetëm Kryetari e përfaqëson Kuvendin si institucion përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës.

Në emër të administratës së Kuvendit udhëheq Sekretari i Kuvendit dhe përgjigjet për punët e tij, ndërsa për sigurinë përgjigjën të ngarkuarit për atë segment.

Ndërsa ata i kryejnë mirë e më përgjegjësi punën e tyre profesionale. Ketë po e them nga përvoja ime me atë segment.

Këshilltarët e tu, opozitës si tërësi dhe as deputetëve individualisht nuk e kanë asnjë të drejt t’ua interpretojnë Rregulloren e Punës së Kuvendit. Rregulloren e Punës së Kuvendit e Interpreton Kryetari e jo këshilltarët e tij.

Këshilltarët mund të komunikojnë me medie apo edhe të bëjnë ndonjë njoftim për ndonjë punë të Kryetarit apo edhe të Kuvendit me autorizomin e Kryetarit. Por në asnjë mënyrë për çështjen për të cilën folën dje këshilltarët tuaj.

Autoriteti dhe përgjegjësit e kryetarit, sidomos në situata tà « tilla të nderlikuara nuk mund të barten te këshilltarët!

Shpresoj të më kuptoni drejt!

Sinqerisht, Jakup Krasniqi

Ish-Kryetar i Kuvendit