Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 15:57

Prishtinë – Sekretari shtetëror në “Ministrinë për Kosovën”, në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se Prishtina përmes “presioneve” në veri po përpiqet që të forcojë pozitën e saj në dialogun me Beogradin, por Serbia për shkak të kësaj nuk planifikon që të braktisë bisedimet.

Në një intervistë për mediat serbe, Ivanoviq ka thënë se në mesin e presioneve është edhe rotacioni i komandantëve policorë në veri, i cili, sipas tij është bërë pa pajtimin e popullsisë lokale serbe. 
Sipas tij, Prishtina po tenton të forcojë pozicionin e vet, pasi “është e vetëdijshme se për veriun duhet të bisedojë me Beogradin”. 
Ivanoviq ka vlerësuar se vendosja e doganave për mallrat serbe, të cilën e kanë paralajmëruar zyrtarët kosovarë, do të ishte “marrëzi nga ana e Prishtinës”. 
“Kjo do të ishte një marrëzi nga ana e tyre. Ky do të ishte një dështim i madh dhe politikisht shumë i dëmshëm, pasi do të sillte në pikëpyetje çfarëdo bashkëpunimi me ta. Së dyti, ky është një marketing politik, të themi, i një anëtareje të qeverisë. Unë e njoh Mimoza Kusarin dhe e di si mendon, dhe kjo është ideja e saj në përgjithësi”, ka thënë Ivanoviq. 
Ivanoviq ka vlerësuar se serbëve në veri është e pamundur që t’iu “imponohen” institucionet e Kosovës. 
“Mendoj se kjo është e pamundur, pasi nuk ka asnjë institucion dhe as policia, as në Kosovë dhe askund në botë që mund të arrijë sukses serioz nëse nuk ka bashkëpunim me popullsinë. Ata tash kanë një numër të vogël të bashkëbiseduesve në mesin e serbëve në veri dhe me këtë përkrahje, ose mospërkrahje ata nuk mund të imponojnë qëndrimet e tyre dhe as institucionet e tyre”, ka thënë Ivanoviq. 
Ivanoviq ka theksuar se Kosova është çështja më e vështirë e hapur për Serbinë, por nuk është i mendimit se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhja më e përshtatshme.

“Ndarja nuk do të zgjidhte problemin për shumë arsye. Kjo është një zgjidhje e tejkaluar arkaike, e bazuar në të dhënat e viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar prej që kur situata ka ndryshuar për 180 shkallë”, ka thënë ai. 
Sipas tij, pavarësia e Kosovës “nuk vlen derisa Serbia të mos e pranojë”, për shkak të të cilës statusi i Kosovës “herët ose vonë, statusi i Kosovës duhet të vijë në rend dite”. 
Ai ka thënë se nuk beson se do të ketë arritje të marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi për energjetikë dhe telekomunikacion, por sipas tij është e mundur që të ketë marrëveshje për korridorin ajror, lirinë e lëvizjes, tabelat serbe dhe dokumentet personale.