Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 20:16

Tiranë – “Vendimet e gjykatës duhet të pranohen nga të gjitha palët dhe rezultati duhet të respektohet”, tha të premten, Ministri italian i Punëve të Jashtme, Franko Frattini, gjatë një takimi në Trieste, me Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, gjatë punimeve të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore, që u zhvillua në Trieste, zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto, zhvilloi një takim dypalësh me homologun italian, Franko Frattini.

Gjatë takimit, u diskutua mbi situatën e krijuar nga zgjedhjet vendore në Shqipëri dhe Haxhinasto iu përgjigj interesimit të Frattinit për situatën paszgjedhore në vendin tonë.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Frattini u shpreh se “në këtë rast duhet që ligji të zbatohet dhe të lihen gjykatat që të vendosin”. Sipas tij “respekti ndaj ligjit dhe zbatimi i tij, siç përcaktohet në legjislacionin vendas, është një provë që e kualifikon Shqipërinë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.