Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 12:47

Tiranë – Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, deklaroi të enjten për mediat se opozita do të jetë shumë shpejt në Kuvend për të thënë fjalën e saj në funksion të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Deputeti Islami, së bashku me deputetin tjetër socialist, Andis Harasani, prej mëse tre javësh ka thyer vendimin e grupit parlamentar socialist, duke u bërë pjesë e punimeve të Kuvendit.
Duke folur për mediat, para fillimit të punimeve të seancës së sotme, Islami u shpreh për një reflektim nga opozita në qëndrimin e saj ndaj parlamentit, nisur dhe nga debati i djeshëm për Shqipërinë në Parlamentin Europian (PE).
“Gjatë takimit të delegacionit shqiptar në PE u dhanë mesazhe shumë të qarta, sidomos për bojkotin, për ndërprerjen e tij dhe vendosjen e një bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe negocimi mes forcave politike, sidomos në funksion të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha deputeti i PS.
“Kam shpresë se shumë shpejt të 66 deputetët e opozitës do të jenë në parlament për të kryer atë detyrë që kanë marrë përsipër gjatë zgjedhjeve, në marrjen e mandatit nga votuesit, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm, si në 2009-n dhe në 2011-n dhe duan që PS, ashtu si gjithmonë, të jetë një forcë politike që e shpalos veprimin e saj opozitar në mënyrë inteligjente, në institucionin e parlamentit, por dhe në mënyra të tjera si protestat”, theksoi Islami.  
“Doja të jepja mesazhin se dhe në opozitën shqiptare, si unë dhe kolegu im deputeti Harasani, por jo vetëm, ka dhe shumë personalitete që janë në rezonancë me mesazhet e ndërkombëtarëve, që kanë profil europian dhe kanë sjellje standarde europiane. Pra, të mos krijohet imazhi për PS-në , që është një forcë që vetëm kundërshton, jo vetëm vendimet në Shqipëri, por dhe mesazhet që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh deputeti i PS.