Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 15:37

Tiranë – Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, deputeti Kastriot Islami, deklaroi të mërkurën se kjo parti i ka humbur zgjedhjet lokale të 8 majit dhe përgjegjësia për këtë bie mbi kryetarin e PS-së, Edi Rama.

Në intervistën e publikuar në një të përditshme shqiptare, deputeti Islami vlerësoi se, nëse PS do të vazhdojë me këtë mentalitet të të bërit politikë dhe opozitë, por edhe nëse e majta nuk do të dalë e bashkuar, rrezikohet edhe fitorja në zgjedhjet e përgjithshme të 2013 dhe sipas tij, përgjegjës për këtë situatë është e kryetarit të PS-së, Edi Rama.

 

“Rezultati i zgjedhjeve të 2011 përgjithësisht rikonfirmon rezultatin e 2009-s, për rrjedhojë favorizon maxhorancën për të artikuluar tezën e rikonfirmimit të saj politik në drejtim të qeverisjes së vendit, por edhe të zgjedhjeve të rregullta të vitit 2009 dhe defavorizon opozitën, e cila e projektoi suksesin bazuar në ndjekjen e një strategjie veprimesh jashtë institucioneve dhe anti-institucionale. Por kjo situatë statukuo-je favorizon koalicionin qeveritar për të mos humbur edhe këtë betejë elektorale, ndërkohë që përçarja nuk e lejon të majtën të fitojë edhe në 2013″, shprehet Islami.

Sipas tij, një përfundim tjetër i qartë i zgjedhjeve të 2011 dhe po ashtu “historik” është se LSI, që nga krijimi, vazhdon të mbetet faktori më i rëndësishëm politik, balancues dhe përcaktues midis dy aleancave: socialiste, të drejtuar nga PS, dhe demokratike, të drejtuar nga PD.

“LSI jo vetëm ka mbijetuar ndryshe nga sa mendonte PS, por edhe është zgjeruar dukë i dhënë leksionin e tretë negativ PS-së. Në këto zgjedhje u provua po ashtu se përgjithësisht koalicioni politik PD-LSI ishte funksional edhe në aspektin elektoral, pra edhe në terren. Dhe fakti që koalicioni PD-LSI ka funksionuar në terren, godet rëndë strategjinë e PS-së që, e vendosur për të mosbashkëpunuar më LSI-në, ka synuar ta eliminojë atë, duke pësuar një efekt dërmues bumerang”, analizoi Islami.

Ai konkludoi se përgjegjës për këtë rezultat në PS nuk janë kryetari i Asamblesë Kombëtare, sekretarët e PS-së, anëtarët e kryesisë-së apo deputetët, por Kryetari i PS-së.

Për të argumentuar këtë qëndrim, Islami perifrazon se çfarë thoshte për përgjegjësin kryesor vetë Rama, në vitin 2005, kur PS kaloi në opozitë:

“.në aspektin moral e simbolik fitorja është e të gjithëve, kurse humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve, i cili e merr mbi supe përgjegjësinë morale në emër të të gjithëve, bash për t’u vënë kapakun “analizave”, të cilat në fakt quhen të bëra nga populli zgjedhës, për t’u dhënë votuesve shenjën e fortë të përgjegjshmërisë e të seriozitetit në mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri, për t’i çelur rrugë pa humbur kohë anëtarësisë që, përmes leximit të votës së popullit, të formulojë drejtimin e ri të partisë me sytë nga sfidat e së ardhmes, e jo nga trofetë e së shkuarës.” , përfundon analizën e tij, Kastriot Islami, duke perifrazuar Kreun e PS-së.