Lajme Shqip Tuesday, 08 January 2013 19:10

Prishtinë – Përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq nëse shteti serb merr ndonjë veprim të dhunshëm për largimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Luginë të Preshevës.

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Muharrem Xhemajli ka thënë për ORAinfo se në çdo rrethanë ata do të jenë pranë shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Shqiptarët gjithmonë kanë ditë të jenë të bashkuar kur janë në pyetje interesat e shqiptarëve, kemi qenë të bashkuar edhe në luftën çlirimtare të Kosovës edhe në luftën e UÇPMB-së, si dhe në luftën çlirimtare në Maqedoni dhe prapë do të jemi bashkë çdo herë kur të jenë në pyetje interesat e shqiptarëve”, ka thënë Xhemajli.

Ai ka kërkuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës që të jenë të vendosur në mbrojtjen e monumenteve të dëshmorëve të rënë në luftën e UÇPMB-së.

“Besojmë se shqiptarët do të jenë të vendosur në mbrojtjen e monumenteve të cilat i kanë ngritë mbi gjakun e dëshmorëve që kanë rënë për çlirimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Po ashtu ne besojmë se edhe politika shqiptare në përgjithësi do të jetë e bashkuar kur janë në pyetje interesat kombëtare dhe do të dalin me qëndrime zyrtare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Pra është momenti i fundit dhe koha e fundit që të bashkohemi për interesat kombëtare”, ka thënë Xhemajli, duke shtuar se deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë në lidhje me Lapidarin në Luginë të Preshevës, po vetëtojnë vazhdimin e politikës së njëjtë të Serbisë karshi shqiptarëve si në kohën e Millosheviqit.

Nga ana tjetër, kryetari i veteranëve të luftës së UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Avdyl Mushkolaj ka thënë për ORAinfo se nuk do të rrinë duarkryq nëse shteti serb merr ndonjë veprim për largimin e Lapidarit të Dëshmorëve të UÇPMB-së.

“Ne nuk mund të jemi spektator të vëllezërve tanë që të vriten ose t’iu cenohet liria, sepse ata në kohën me të vështirë nuk na kanë kthyer shpinin, por kanë qenë me neve, kështu që nëse diçka ndodh atje, nuk besoj se do të këtë shqiptarë që do të rrijë duarkryq, por të gjithë do t’iu dalin në mbështetje”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka shtuar se gjatë bisedave që ka pasur me bashkëluftëtarë nga Lugina e Preshevës, i ka premtuar ata, se do të jenë pranë tyre në çdo moment.(G.E/LajmeShqip.com)