|
|
e Premte, 27 Korrik 2012 21:34 Tiranë – George Tenet pritet të mbërrijë së shpejti në Shqipëri i shoqëruar nga peshëngritësi i njohur himarjot, aktualisht deputet i PASOK-ut, Pirro Dhima. Ish-drejtori i CIA-s do të zhvillojë një vizitë zyrtare dhe këtë e konfirmon fakti se ai parashikohet të takohet me kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe personalitete të tjera të njohura, transmeton e përditshmja Shekulli.
Ndërkohë privatisht, Tenet do të qëndrojë në Himarë, që është vendi i origjinës së tij dhe ku mendohet të takojë të afërm, por edhe përfaqësues të komunitetit. Prej një viti, Komuniteti Himarjot, një organizëm që funksionon për të mbrojtur të drejtat e popullsisë së zonës në fjalë e ka caktuar Tenet, si Ambasador Kulturor të Himarës. Pavarësisht natyrës së qëndrimit të Tenet në Shqipëri, prania e tij fiton vlerë politike.
Të paktën në komentin që pason vizitën e paralajmëruar. Ka disa arsye për këtë gjë. Së pari, nuk është e zakonshme që një ish-Drejtor i CIA-s, apo i shërbimeve informative të nivelit të tillë, të bëj një tur zyrtar, pa një axhendë paraprake. Së dyti, Tenet, ndonëse nuk ka më detyrën e dikurshme është angazhuar nga Presidenti aktual amerikan me çështje të sigurisë në zonën e Mesdheut. Së treti, ai do të jetë i pranishëm në Himarë, nga ku ka origjinën, por edhe ku zë fill një nga problemet më të nxehta për shtetin shqiptar. Së fundi, është historia politike e Shqipërisë pluraliste ajo që e vesh me kontekst politik vizitën e ish-drejtorit të CIA-s. Në vitin 1997, emri i tij u lakua nga ish-drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede, i cili akuzonte George Tenetin si organizator dhe frymëzues të revoltave në Jugun e Shqipërisë.
Të gjitha këto kompletojnë kuadrin e komentit mbi ardhjen e tij në Tiranë, që është bërë e njohur nga gazetari Stavri Marko, aktualisht drejtor Ekzekutiv i Komunitetit Himarjot. Një gjë është e sigurt: vizita, sikurse takimi i supozuar me Berishën, nuk do të përbënte ndonjë të papritur apo befasi. Që prej vitit 2003-2004, kur ish-kryeopozitari priste në selinë blu Nikolas Gaxojanin, armikun e dikurshëm të viteve 92-97, epoka e konfrontimeve të ndërtuara mbi sfondin klasik të tensionit politik në Shqipëri ka marrë fund. Apo të paktën është rimodeluar. Gjithsesi me më shumë interes do të ishte ajo çfarë do të thuhet për problemin e Himarës, meqenëse shoqëruesi i Tenet në këtë vizitë ende të pakonfirmuar zyrtarisht është himarjoti i mirënjohur, Pirro Dhima. (LajmeShqip.com)