Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 15:37

Prishtinë – Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) në mbledhjen e trembëdhjetë sot në Prishtinë rikonfirmoi mbështetjen e tij të plotë për konsolidimin e Kosovës së pavarur, plotësisht sovrane, demokratike dhe shumetnike brenda kufijve të saj aktual.

Në komunikatën nga takimi, ISG-ja përshëndet progresin e bërë nga Qeveria e Kosovës në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS); ajo vëren se shumica dërmuese e ligjeve që dalin nga PGJS-ja tanimë janë miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe i fton institucionet që t’i japin prioritet hartimit dhe miratimit të legjislacionit të mbetur që kërkohet nga PGJS-ja si dhe të sigurojnë zbatimin e tij efektiv.

ISG-ja mirëpret zgjedhjen e Presidentes Atifete Jahjaga, pasi Kosova kishte kaluar një periudhë të paqartësisë politike, dhe vëren rolin e luajtur nga Gjykata Kushtetuese. ISG-ja mirëpret procesin e mëtejmë të reformës kushtetuese dhe legjislative për të forcuar besueshmërinë dhe legjitimitetin e demokracisë në Kosovë.

ISG-ja është e shqetësuar për çështjet e zhvillimit ekonomik dhe disiplinën buxhetore dhe fiskale në Kosovë, dhe e inkurajon qeverinë që të përpiqet për progres në këtë fushë dhe fusha të tjera të rëndësishme që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e të gjithë qytetarëve dhe në qëndrueshmërinë e tërë vendit, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë, sundimin e ligjit, pajtimin  si dhe kujdesin domethënës për komunitetet pakicë.

ISG-ja mirëpret Strategjinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare dhe i inkurajon partnerët ndërkombëtarë që ta përkrahin Kosovën në arritjen e këtij qëllimi. ISG-ja mirëpret njohjet e fundit të pavarësisë së Kosovës, mirëpret mbështetjen që kohëve të fundit i është dhënë nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe i inkurajon të gjitha shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. ISG-ja e inkurajon Kosovën që të vazhdojë të ketë qasje konstruktive në pjesëmarrjen e saj në forumet rajonale dhe i fton shtetet e rajonit që të lehtësojnë përfshirjen e shpejtë të Kosovës në të gjitha aranzhimet e tilla, duke respektuar të drejtat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe shtetësinë e saj.

ISG-ja lavdëron Kosovën për angazhimin e saj të përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe inkurajon Kosovën dhe Serbinë që si fqinjë të pavarur dhe sovran të vazhdojnë kërkimin e marrëveshjes për çështjet e interesit praktik për qytetarët e tyre. ISG-ja i vëren frytet e para të dialogut dhe beson se, krahas avancimit të pajtimit dhe stabilitetit rajonal, dialogu mund të ndihmojë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, ndihmojë normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe ndihmojë në rrugët e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.