Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 15:33

Prishtinë – Interpelancën e kryeministrit Hashim Thaçi, të kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, mund ta zë korriku pa u mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ngase Qeveria javën e ardhshme do të jetë jashtë vendit, sikurse edhe një pjesë e deputetëve.

Këtë e ka bërë të ditur kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë, nuk është biseduar për interpelancën.

Interpelanca është kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje më 30 maj, ndërkaq sipas procedurave, ajo do duhej të mbahej brenda 15 ditëve nga data e parashtrimit të kërkesës.

I pyetur për platformën e bisedimeve, Krasniqi sërish ka thënë se Kuvendit i mungon kjo platformë, e cila do duhej të sillej nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

Ndërkaq sa i përket propozimit të Komisionit për punë të jashtme, që Kosova të përfaqësohet nga ambasadat e Shqipërisë në ato vende ku nuk i ka ambasadat e saj, Krasniqi ka thënë se një gjë e tillë do të ishte e mirëseardhur.

Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, i cili drejtohet nga deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte rekomanduar që Shqipëria ta përfaqësojë Kosovën në vendet në të cilat Kosova ende nuk ka hapur ambasada. Ky propozim mbështetet në nevojën që në vendet, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe në vendet, në të cilat përkundër njohjes, ende nuk është shtrirë përfaqësimi diplomatik i Kosovës, të ketë përfaqësim nga ana e Shqipërisë.