Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 10:57

Në krye të raportit që do të prezantohet këtë të mërkurë nga Komisioni Europian thuhet se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kritereve te Kopenhagenit.

Qeveria ka bërë përpjekje për të ecur përpara me axhendën europiane kryesisht permes planit të aksionit për të plotësuar 12 rekomandimet, por ngërci politik ka mbajtur peng kryerjen e reformave të nevojshme në vend.

Sipas raportit të progresit të Komisionit Europian ka patur disa përmirësime të kufizuara në rregullat e parlamentit shqiptar.

“Shqipëria ka aprovuar një reformë të sistemit të drejtësisë dhe një plan aksioni që përbën një bazë të mirë për kryerjen e reformës”-thuhet më tej në këtë progres-raport.

Po ku kërkohen më shumë përpjekje? Sipas progres raportit të Komisionit Europia skena politike është ajo që përbën problemin pasi demokracia dhe shteti ligjor, vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e tjera konfliktuale midis forcave politike janë ato që kanë cënuar progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe zbatimin e reformave të rëndësishme.

Raporti i Progresit i Komisionit Europian vlerëson pozitivisht zgjedhjet lokale të 8 majit. Por sipas këtij dokumenti klima e polarizimit preku edhe këto zgjedhje.

Zgjedhjet e 8 majit ishin pozitive dhe procesi i numërimit ishte përgjithësisht i mirë ndërsa ka patur disa probleme me procedurat e postapelimit për zgjedhjet lokale në Tiranë. Dokumenti i vlerësimit i Komisioni Europian thotë se refoma elektorale për momentin ka ngecur.

Ka një vlerësim pozitiv të procesit por është e rëndësishme që reforma zgjedhore të kryhet dhe i kërkohet të dy forcave politike që ato të bashkëpunojnë sa më shpejt për kryerjen e kësaj reforme.

Vlerësimi më pozitiv për Shqipëria vjen përsa i përket ekonomisë. Kështu në progres-raport thuhet se në aspektin ekonomik Shqipëria ka njohur një stabilitet makroekonomik në një konteskt krize globale. Kjo është arritur falë politikave monetare të shëndosha që ndiqen vlerësohet më tej nga Komisioni Europain.

Eksportet shqiptare janë rritur shumë dhe kjo ka ndikuar në rritjen ekonomike të vendit. Por edhe këtu ngërci politik ka cënuar reformat strukturore të nevojshme.

Së fundi duke bërë një krahasim me vendet e tjera të rajonit tone, Komisioni konsideron që Mali i Zi ka përmbushur 7 kriteret që janë kërkuar dhe është i gatshem për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Serbia ka bërë progres dhe është e gatshme për të marrë statusin e kandidatit. Ndërsa për Shqipërinë Komisioni Europian thotë se vendi ynë ka bërë progress, por në këtë moment, Komisioni nuk është në gjendje të thotë nese Shqipëria është e gatshme për të hapur negocitat për të marrë statusin e vendit kandidat.

I gjithë problemi është ngërçi politik i cili sic cileson raporti ka frenuar zhvillimin e duhur që i duhet Shqipërisë gjatë një viti.