Lajme Shqip Sunday, 26 June 2011 00:06

Tiranë – Portali LajmeShqip.com mëson se një incident i rëndë është regjistruar gjatë ditë së shtunë në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Botë, ku deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës Markat, Ismail Myrtaj dhe nga disa gazetarë, nuk është lejuar të kalojë kufirin nga ana e palës greke.

Pas disa debatesh, deputeti Tahiri është lejuar të kalojë kufirin, ndërsa Myrtaj, së bashku me gazetarët janë ndaluar, me pretendimin se ata përbënin “rrezikshmëri për rendin publik”.

Edhe pse kryetari i Komunes Markat ishte i pajisur me pasaportë shërbimi, nuk është lejuar të kalojë pikën kufitare nga ana e palës greke.

Dje, PDIU kishte organizuar marshimin e përvitshëm të komunitetit në Qafë-Botë, për të kujtuar masakrën e ushtrisë greke ndaj kësaj popullise, ku në një ditë të vetme u vranë mbi 2.700 pjesëtarë çamë, ndërsa i gjithë komuniteti u përzu nga tokat e veta, drejt Shqipërisë, me akuzën e bashkëpunimit me okupatorin nazist. E gjithë kjo mënxyrë mban vulën e gjeneralit grek Napolon Zerva, ndërsa shteti grek nuk ka denjuar asnjëherë të kërkojë falje, duke deklaruar se nuk ekziston çështja çame.

Madje, qeveria greke edhe pas liberalizimit të vizave nuk e lejon asnjë shqiptar çam që kalojë kufirin dhe rasti i ditës së shtunë është edhe shembulli më konkret i politikës së pakuptueshme që ndjekë qeveria e Athinës.

Së shpejti, Portali Lajmeshqip.com do të publikojë edhe një dokument zyrtar grek, i cili e pasqyron nismën më të fundit të qeverisë së Athinës për të shitur pronat e komuniteti çam në veri të Greqisë, për të mbledhur fonde, me qëllim përballimin e krizës së jashtëzakonshme ekonomike që e ka kapluar këtë shtet.