Lajme Shqip e Hënë, 16 Korrik 2012 12:43

Tiranë -Trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, ai i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, i BE-së, Ettore Sequi dhe i OSBE-së, Eugen Wollfarth, zhvilluan sot një takim me kreun e opozitës, Edi Rama.

Ky takim vjen pak ditë përpara votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për heqjen e imunitetit, parashikuar për më 6 gusht. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, tha pas takimit se “çështja e imunitetit vjen fill pas çështjes së reformës zgjedhore, që shpresojmë të përfundojë me sukses këtë javë”.

“Në fakt kjo çështje ka të bëjë me zyrtarë të rëndësishëm, si deputetë, prokurorë e gjykatës. I jep më shumë garanci sistemit të demokracisë në vend dhe kërkon kujdes. Të qenurit i nënshtruar ndaj ligjit është e rëndësishme, përfshirë dhe zyrtarët e lartë, kështu që duhet të ekzistojë detyrueshmëria ndaj ligjit”, tha kreu i Prezencës së OSBE-së. Ai nënvizoi se “çështja e imuniteteve është e rëndësishme për funksionimin e shtetit. Për këtë arsye po zhvillohen diskutime të thella. Shfrytëzmi sa më i mirë i kohës është thelbi i çështjes”.

Ndërsa kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi, tha se “çështja e imunitetit ka rëndësi mjaft të madhe për progresin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian”. “Ashtu si heqja e imuniteteve, edhe reformat e tjera kanë mjaft rëndësi, siç është reforma e procedurës parlamentare, që është pjesë e një marrëveshjeje të arritur nëntorin e kaluar”, theksoi Sequi.

“Besojmë që me reformën e rregullores do të bëhet po aq progres sa me atë të imuniteteve”, tha Sequi, duke shtuar se “marrëveshja mbi kodin zgjedhor qe një hap i mirë përpara që do të shërbejë për imunitetin dhe reformën parlamentare”. “Nuk po u kërkojmë politikanëve shqiptarë të pëlqejnë njëri-tjetrin, por të punojnë me njëri-tjetrin për hir të progresit evropian”, nënvizoi Sequi.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, theksoi se “paketa e reformave duhet të jetë e gjithanshme”. “Këto reforma janë të rëndësishme jo vetëm për integrimin europian, por dhe për vetë zhvillimin e vendit”, tha Arvizu, duke shtuar se “mbetet ende punë për reformën e rregullores së parlamentit” dhe u bëri thirrje palëve të punojnë së bashku.

“Vota përfundimtare për imunitetin është për 6 gushtin dhe ka kohë mjaftueshëm për të diskutuar për ndryshimet e mundshme. Ashtu si me çdo ligj është e rëndësishme që të mos lëmë të përsosurën të jetë armik i së mirës. Besojmë që do jetë një punë e mirë. Bazuar mbi bisedat që kemi pasur PS do të jetë një aktori i mirë për këto reforma”, tha Arvizu.

Një javë më parë Partia Demokratike konkretizoi nismën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, përmes ndryshimit të Kushtetutës, duke e depozituar atë në Kuvend pak ditë më parë. Nisma e PD zhvesh nga imuniteti kryeministrin, ministrat, deputetët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të gjithë gjyqtarët, Avokatin e Popullit dhe kryetarin e KLSH-së.

Për këtë arsye PD-ja ftoi PS-në që t’i bashkohet kësaj nisme për heqjen e imuniteteve dhe ta miratojnë së bashku sa më shpejt për të përmbushur një nga detyrimet e procesit për integrimin europian të Shqipërisë.

Nga ana tjetër kreu i PS-së, Edi Rama, është shprehur pro heqjes së imunitetit, por deklaroi se opozita nuk do të nxitohet për të miratuar ndryshimet në Kushtetutë.
Më datën 20 korrik, Kuvendi merr në shqyrtim nismën e depozitur nga maxhoranca parlamentare për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ndërsa më datën 6 gusht pritet votimi i këtyre ndryshimeve në seancë plenare. (LajmeShqip.com)