Lajme Shqip Monday, 06 August 2012 11:05

Tiranë (PLOTESUAR 6 GUSHT, 18:40)- Dështon seanca e posaçme parlamentare, për votimin e draftit të ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit. Deputetët e opozitës deklaruan votën e tyre kundër, prandaj drafti nuk u votua. Ndërsa kryeministri Berisha pas debateve e replikave deklaroi se do ta cojë çështjen në referendum popullor.

Sipas opozitës, e cila ishte e pranishme në sallën e Kuvendit, “6 gushti është një datë e përcaktuar në mënyrë arbitrare nga shumica”. Opozita ka këmbëngulur që votimi për imunitetin duhet të kryhet në shtator, së bashku me një paketë tjetër ndryshimesh kushtetuese që lidhen me sistemin e Drejtësisë. Këtë qëndrim të opozitës mazhoranca e ka cilësuar bllokues për Shqipërinë që në vjeshtë pritet të marrë statusin e vendit kandidatit në BE. “6 gushti është përcaktuar në bazë të rregullores parlamentare”, ka argumentuar mazhoranca, duke ftuar opozitën të votojë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe integrimit të vendit në BE.

BERISHA: REFERENDUM POPULLOR PËR HEQJEN E IMUNITETIT
Ora 18:30- Pas deklaratave të deputetëve të majtë se nuk do ta votonin heqjen e imunitetit në seancën e sotme, kryeministri Berisha u zotua se do ta çojë çështjen në referendum popullor. “Besimi im i palëkundur është tek qytetarët e këtij vendi, socialistët e thjeshtë, demokratët e përfaqësuesit e LSI, të gjithë do votojnë së bashku heqjen e murit të turpit të korrupsionit. Kjo seancë finalizohet me zotimin tim solemn se do ecim në mënyrë të pandalshme në referendumin popullor drejt heqjes së imunitetit”, tha ai.

BERISHA: PS NGRITI MURIN E BLLOKIMIT TË INTEGRIMIT
Ora 18:05- Kur kanë kaluar 8 orë nga diskutimet në Kuvend, për çështjen e heqjes së imunitetit, kryeministri Berisha e ka komentuar si tërësisht negativ qëndrimin e deputetëve të opozitës. Ai tha se sot të majtët ngritën murin e bllokimit të statusit.

“Duhet të pranonin barazinë para ligjit, të shembnin murin zyrtar të korrupsionit dhe të hapnin dyert e statusit kandidat. Rrallë ndonjëherë në historikun e këtij vendi ligjvënësit shqiptarë do mund të kishin merita dhe efekte të mëdha për zgjedhësit e tyre dhe të ardhmen europiane. Por mjerisht me gjithë rëndësinë jetike të këtij votimi për të çelur dyert e statusit në BE, sot nga 10 e 30 deri në këtë moment deputetët e opozitës ngritën tullë pas tulle gur pas guri murin e bllokimit, u zotuan se do bllokojnë votimin për heqjen e imunitetit, një akt i paprecedentë në historinë e parlamenteve të vendeve demokratike”, tha Berisha. 

MAJKO: DUHET HEQUR MË PARË IMUNITETI POLITIK
Ora 17:55-
Deputeti i PS-së dhe njëkohësisht relator i draftit për heqjen e imunitetit, Pandeli Majko, deklaroi në këtë seancë se, “Në historinë e parlamentit pluralist shqiptar deputetët i kanë miratur gjithnjë kërkesat e Prokurorëve për heqjen e imuniteteve dhe i kanë hapur rrugën hetimit të deputetëve të çfarëdolloj partie. Kjo e rrëzon pikëpamjen se imuniteti parlamentar pengon luftën ndaj korrupsionit”, tha Majko.

Ai tha më tej se, “Ka vetëm një imunitet që dëmton ndëshkueshmërinë dhe kjo ka të bëjë me mbrojtjen që i bëhet disa zyrtarëve. Ne socialistët i qëndrojmë opinionit se në Shqipëri duhet hequr më parë imuniteti politik. Është imuniteti politik ai që pengon dhe jo kushtetues. Ai tremb çdo gjykatës shqiptar. Drejtësia që nuk godet, korruptohet. Kjo është sfida etike që duhet t’i qëndrojmë ballas”, tha Majko.

PD, PALOKA: DRAFTI PËR HEQJEN E IMUNITETIT, SIPAS KËRKESAVE TË PS-së
Ora 17:40- Deputeti i Partisë Demokratike dhe një nga relatorët e draftit për heqjen e imunitetit, Edi Paloka, u shpreh sot gjatë seancës parlamentare në Kuvend për heqjen e imunitetit, se të gjitha propozimet e Partisë Socialiste janë dërguar dhe zbatuar në draftin e miratuar me konsensusin e të dy palëve.  “Drafti që kemi para është përgatitur nga deputetë e PS-së. U morën mendime nga konstitucionalistët që propozuan deputetët e opozitës. Ne ramë dakord me gjithçka nga ky draft, pa ndryshuar asgjë, që të mos kishte asnjë diskutim për të votuar. Por tani duket se gjithçka ka qenë e kotë”, tha Paloka.

Sipas tij, “Rama ka kompleksin e dështakut. Në 2010 ndryshoi Kushtetutën për zgjedhjen e Presidentit edhe pse mendonte ta zgjidhte vetë. Tani kërkon votim me 3/5-at edhe për gjyqtarët. Është e thjeshtë të kuptohet se si e sheh Rama rezultatin në zgjedhjet e ardhshme”. “Mos miratimi në seancë plenare e projektligjit është që edhe për një vit të mos votohet në Kuvend heqja e imuniteteve. Dhe pasoja më e afërt është mos arritja e marrjes së statusit të vendit kandidat. Sepse kështu ai përfiton për kapital politik. Por në fakt e vetmja arsye pse Rama urdhëron deputetët e PS për mosvotimin e këtij projektligji është se Ramën e urdhërojnë vetë disa deputetë të tij për mos heqjen e imunitetit”, tha Paloka.

BODE: ÇËSHTJA E IMUNITETIT LIDHET NGUSHTË ME PROCESIN E KORRUPSIONIT
Ora 17:35- Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi sot se çështja e imunitetit lidhet ngushtë me procesin e korrupsionit. “Ne vijmë në Kuvend me propozimin e bërë nga PS për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit”, tha Bode. “Korrupsioni është shpërdorim i pushtetit publik. Korrupioni matet me perceptimin e qytetarëve. Heqja e imuniteti krijon kushte për të luftuar korrupsionin. Mosvotimi i heqjes së imunitetit nga ju do shkaktojë dëme ndaj popullit”, iu drejtua ministri Bode deputetëve socialistë.
Sipas ministrit Bode, “lufta ndaj korrupsionit është çështje proçedure, jo deklaratash dhe akuzash apo kundër akuzash në Kuvend. Është çështje e reformave të ndërmarra. Dhe vetëm prej refomave mud të luftohet korrupsioni”.  “Hiqni imunitetin që të ndërmerren reforma për të lehtësuar procedurën për hetimin e korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë”, iu drejtua ministri Bode deputetëve të opozitës.

OLLDASHI: DEPUTETËT E PS NUK PO E SHPREHIN VULLNETIN PËR HEQJEN E IMUNITETIT 
Ora 17:00
 -Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, u shpreh sot gjatë seancës parlamentare për heqjen e imunitetit, se “deputetët e PS thonë se kanë vullnet për të votuar, por nuk po e shprehin atë”. Olldashi akuzoi opozitën se ka qenë kundër Partneritet për Paqe që në vitin 1992.  “Ju keni qenë kundër liberalizimit të vizave dhe tashmë jeni edhe kundër statusit të vendit kandidat të BE-së”, tha ministri Olldashi. Ai u shpreh se “nëse nuk do t’i japim vendin që i takon drejtësisë, nuk mund të luftojmë korrupsionin”.

“Ju e konsideroni qeverinë tonë si armike dhe jo si kundërshtar. Kërkoni të përbaltni gjithçka, duke thënë se e gjithë klasa politike është e korruptuar”, iu drejtua ministri Olldashi deputetëve opozitarë.

NOKA-BREGU: HEQJA E IMUNITETIT, KUSHT PËR INTEGRIMIN NË BE 
Ora 16:00 -Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i bëri sot thirrje deputetëve të opozitës që të votojnë ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit.

Sipas ministrit Noka, maxhoranca e ka për detyrë t’i tregojë popullit se pse opozita nuk dëshiron të heqë imunitetin. “Kryetari juaj do të godasë thelbin e demokracisë. Bëhuni pjesë e këtij votimi. Rama ka frikë nga heqja e imunitetit”, iu drejtua Noka deputetëve socialistë. “Heqjen e imunitetit po e presin të gjithë. Ky mur është pengesa për luftën ndaj korrupsionit. Rama nuk ka bërë asgjë përveç se ka futur vendin në krizë. Vullneti anti-integrim i Ramës është ngulitur thellë në opozitë. Edi Rama ka dëshirë të bllokojë statusin e vendit kandidat”, tha Noka.

Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, rikujtoi se heqja e imunitetit është i vetmi kusht i KE-së ende i paplotësuar dhe mos votimi i tij do të ishte bllokim i marrjes së statusit të vendit kandidat. “Kam kërkuar që heqja e imunitetit të jetë kusht i negociueshëm”, tha Bregu.

IMAMI: IMUNITETI NUK ËSHTË MBROJTJE E DEMOKRACISË, POR PENGESË NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT
Ora 15:30- “Imuniteti nuk është mbrojtje e demokracisë, por pengesë në luftën kundër korrupsionit”. Kështu u shpreh të hënën, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, ku për më shumë se katër orë, po diskutohet drafti për miratimin e ndryshimeve kushtuese për heqjen e imunitetit.
Duke u ndalur në faktin e aprovimit në parim të këtij drafti nga të dy forcat politike, Imami shtroi pyetjen, se çfarë do t’u ndryshonin deputetët e opozitës këtij drafti të hartuar dhe nga konsulentët e huaj, duke mos e votuar sot.
Sipas Imamit, vendosja e një kushti nga opozita, mbi një kusht që na ka vënë BE, është i papranueshëm.

POLLO: OPOZITA NUK DUHET TË NXJERRË JUSTIFIKIME PËR HEQJEN E IMUNITETIT 
Ora 14:50- “Opozita nuk duhet të nxjerrë justifikime për heqjen e imunitetit”, tha sot në Kuvend Ministri i Inovacionit, Genc Pollo.
Gjatë seancës parlamentare për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ministri Pollo theksoi se “data e sotme është caktuar në konferencën e kryetarëve, ku edhe unë isha i pranishëm dhe përfaqësuesit e PS-së nuk është se e kanë kundërshtuar, pra data 6 ishte një datë e përcaktuar nga rregullorja”.
“Opozita ra dakord për ndryshimet kushtetuese që në vitin 2008″, tha Pollo, duke shtuar se opozita duhet të votojë heqjen e imunitetit për të rritur transparencën.
Sipas tij, opozita ka qenë e lirë për të propozuar amendamentet e saj.

“Kryetari i PS-së ka arsye objektive, nuk them se është malinj nga natyra, apo dashakeq me popullin e tij, por ka një leverdi thjesht elektorale, çdo opozite në botë i intereson të shkojë drejt zgjedhjeve me një frymë pesimizmi të përhapur. Për arsye natyrale historike Shqipëria ndodhet në 100 vjetorin e pavarësisë së saj dhe ky është një rast të festojmë të gjithë, pavarësisht se për kë votojmë “, tha ministri Pollo.
Ai u shpreh se “çdo gjë më shtyn të mendoj se është dëshira e fshehur, por e vërtetë që të refuzohet statusi kandidat për herë të tretë ajo që i bën kolegët e urdhëruar, ndoshta jashtë vullnetit të tyre, që të refuzojnë me argumente qesharake votimin për amendamentet kushtetuese të paraqitura”.

REPLIKA BERISHA-FIDEL YLLI
Ora: 14:15
- Deputeti socialist Fidel Ylli e akuzoi kryeministrin Berisha se “po aktron për tu mbushur mendjen shqiptarëve se opozita nuk do të heqë imunitetin”. Në përgjigje të akuzave të mazhorancës, se ai bën pjesë në klubin miliarderëve që duan të fshihen pas imunitetit, Ylli theksoi se “Nuk jam i mërzitur dhe i shqetësuar sepse ju me zini emrin, por jam i mërzitur, sepse sot në Poliçan, zonën që unë mbuloj, kanë ndodhur dy vdekje. E keni lënë në mjerim atë zonë, dhe ky është shqetësimi që kam unë si deputet. Paratë dhe pronat i kemi deklaruar në deklarimin e pasurisë. Ndërsa rrethi jot familjar, rrethi i biznesmenëve janë bërë milionerë pa u thënë kush “puna mbarë”- u shpreh Ylli.

Kryeministri iu përgjigj menjëherë akuzave të deputetit socialist, duke deklaruar se “sot në Poliçan ka ndodhur një krim i shëmtuar. Një ushtar në detyrë ka qëlluar mbi një koleg dhe më pas ka vrarë veten, ju zoti deputet nuk keni të drejtë të përdorni një krim për të mbuluar një krim tjetër. Frika për të hequr imunitetin nga industria e lojërave të fatit që administron dhe kullat e pallatet, për të justifikuar mosvotimin për heqjen e imunitetit është një gabim shumë i rëndë.” Më tej kryeministri u bëri thirrje deputetëve socialistë “të kenë burrërinë dhe moralin 0për tu bërë të barabartë me qytetarët”.

DADE: BERISHA SHKELI KUSHTETUTËN 37 HERË, REAGON KRYEMINISTRI: UNE NUK JAM BESNIK MUSTAFAJ 
Ora 14.00-Deputetja socialiste Arta Dade në fjalën e saj për çështjen e imunitetit theksoi se propozimet e PS garantojnë luftën kundër korrupsionit, por se ndërhyrjen në Kushtetutë nuk mund të bëhen me nxitim. Sipas Dades, Berisha është fshehur pas imunitetit gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa theksoi se kryeministri shkeli 37 herë kushtetutën brenda 7 vitesh.  “Por Berisha nuk i përmend këto, del ndonjë ditë vere duke notuar, ndonjë ditë dimri në ndonjë faqe mali”.

Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha i përmendi një debat që dade ka pasur disa vite më parë me ish-Ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj. “Unë nuk jam Besnik Mustafaj, unë jam Sali Berisha dhe të kam respektuar që kur të kam njohur, ti e di këtë”.

BERISHA: JU AKUZONI VETEN DUKE MOS HEQUR IMUNITETIN
Ora 13:50-Kryeministri Sali Berisha theksoi në fjalën e tij se me qëndrimin kundër heqjes sot të imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve, opozita vetëakuzohet drejpërsedrejti. Madje Berisha këshilloi dhe një pushim dreke për deputetët dhe bëri thirrje që opozita kur të rikthehet të votojë heqjen e imunitetit.  “Ju akuzoni veten duke mos hequr imunitetin. Ndërpreni këtë seancë, bëni 5 minuta pushim dhe vendosni së bashku të heqim imunitetin dhe mos vendosni mur në zbatimin e ligjit, mur në integrimin e vendit. Shkoni në shtëpi për drekë, dhe dëgjoni cfarë do ju thonë miqtë tuaj për këtë se jua dinë të gjitha cfarë bëni. Se e keni vendosur këtë parti nën thundrën e pasurive tuaja. Hiqni pra, pse deklaroni jo jemi për heqje, por nuk na do partia. Miliarderë me imunitet, duhet të mendohesh 5 herë për heqjen e imunitetit”.

BERISHA: NUK VIJMË SOT PËR KAPITAL POLITIK
Ora 13:40-Kryeministri Sali Berisha pas fjalës së deputetes socialiste Arta Dade mori fjalën dhe theksoi se nisma e sotme nuk është për kapitale politike vetjake. Berisha theksoi se reformën në imunitete e ka kërkuar 10 vjet më parë dhe më pas, por ka hasur vetëm në refuzim.

“Nuk e kam ndërmarrë këtë nismë për kapitale, gabim. Kam qenë këtu kur ju përdornin shishen e pepsi kolës për të vërtetuar krimet e mia kur Haga nuk kishte akuzuar ende Milloshevicin. Dorëzova tek ju 10 vjet më parë kërkesën dhe draftin për të hequr imunitetin dhe ju refuzuat. Me të ardhur në pushtet vepruam në të njëjtën mënyrë, dorëzuam draftin për të hequr imunitetin si pushtetarë, ju refuzuat, ne bëmë një deklaratë të tipit të Bundestagut se nuk jemi më imunitarë, ju refuzuat. Në vitin 2008 kur ndërmorëm reformat më të thella, kam përsëritur dhe insistuar për imunitetin, të ndërhyjmë në kushtetutë. Kryetari juaj tha vetëm me imunitetin mos më ngatërroni. Pra unë nuk mund të fitoj kapital politik sot se çdo kapital politik që kam fituar une e kam investuar”. E pra ne nuk vijmë këtu për kapital politik, por për një vendim për veten tonë para qytetarëve shqiptarë dhe zgjedhësve të këtij vendi para miqve tanë në Shqipëri dhe në botë”.

HALIMI: HEQJA E IMUNITETIT NJË DETYRIM NDAJ QYTETARËVE 
Ora 12:40- Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, tha të hënën gjatë seancës plenare të Kuvendit, ku po diskutohet drafti me ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit, se “vota pro këtij drafti është një detyrim ndaj qytetarëve dhe një nga kushtet për marrjen e statusit si vend kandidat në BE-së, ku aspiron të aderojë Shqipëria”.
Halimi i bëri apel opozitës të votojë për heqjen e imunitetit, pasi qytetarët e duan heqjen e imunitetit, po aq sa duan dhe integrimin e vendit në BE. “Ndaj ne jemi sot këtu për të thënë se po kryejmë detyrën ndaj tyre, duke kërkuar që zyrtarët, gjyqtarët por mbi të gjitha deputetët të jenë të barabartë para ligjit”, tha Halimi. Duke sjellë në retrospektivë historikun e kësaj çështje, ministri Halimi tha se, kërkesa për heqjen e imunitetit është kërkuar që në vitin 2003, kohë kur ishte në pushtet Partia Socialiste. Ndërkohë që për dy vjet rrjesht dy nga institucionet ndërkombëtare u morën me këtë çështje, duke sjellë draftin më të mirë të pranuar dhe nga opozita.

“Nuk e kuptoj se si opozita nuk bie dakort për atë që ka shkruar vetë”, tha Halimi. Eshtë e qartë, theksoi ai, “qëllimi i opozitës është bllokimi për të tretën herë radhazi i statusit si vend kandidat në BE dhe mbrojtja e korrupsionit, pasi në rast të kundërt ajo të votonte sot për heqjen e imunitetit.

PS, BUSHATI: CËSHTJA E KUFIZIMIT TE IMUNITETIT ËSHTË E ZGJIDHUR
Ora 12: 30
-Në fjalën e tij për çështjen e imunitetit, deputeti socialist, Ditmir Bushati tha se çështja e kufizimit të imunitetit është e zgjidhur, por duhet të shoqërohet me çrrënjosje të pandëshkueshmërisë. 
.
“Duhet të jetë e qartë për të gjithë që çështja e kufizimit të imunitetit është një çështje e zgjidhur, për të cilën ne socialistët e kemi dhënë votën tonë pro. Sot është momenti që të hedhim disa hapa që garantojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Ndaj duhet të eksplorojmë të gjithë mundësitë që krahas ndryshimeve kushtetuese që kufizojnë imunitetin, të votojmë edhe ato ndryshime kushtetuese që i përgjigjen në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesës së qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, e që do ta vendosnin Shqipërinë një hap më afër marrjes së statusit të vendit kandidat. E ardhmja është zgjedhja që bëjmë ne, jo një fatalitet. Të injorosh problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare sot, do të thotë të humbasësh me vetëdije shansin për t’i ndryshuar ato”, tha ai.

BUMÇI-PS-së: KONTRIBUONI REALISHT NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT
Ora 12:20-”Opozita ka sot mundësinë që të dëshmojë se lufta e tyre kundër korrupsionit nuk ka qenë thjesht një retorikë boshe”, tha sot në Kuvend, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.  Sipas tij “akuzat për korrupsion dhe debati për korrupsionin ka dominuar sallën e Kuvendit gjatë këtyre viteve dhe aksionin politik të opozitës gjatë këtyre viteve”.

“Sot ju keni mundësi të tregoni se kjo nuk ka qenë një retorikë boshe dhe të dëshmoni se lufta juaj për korrupsion gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë e vërtetë, duke votuar për heqjen e imunitetit. Ju mund të dëshmoni se ky debat nuk ka qenë një strategji e pa përciptë për të baltosur këdo”, tha Bumçi. Bumçi tha se “kjo është mundësia e opozitës për të kontribuar realisht në luftën kundër korrupsionit”. “Sot në këtë parlament ju po varrosni aksionin tuaj politik të këtyre 7 viteve. Nëse nuk e votoni këtë ligj, ju nuk mund të flisni më për angazhim në luftën kundër korrupsionit”, tha Bumçi, duke iu drejtuar deputetëve socialistë.

TAHIRI: SHOFERI I BERISHËS ME GALERI KROMI NË BULQIZË
Ora: 12: 00-
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i PS për Tiranën, Saimir Tahiri theksoi se opozita mbështet kufizimin e imunitetit por synon të luftojë realisht korrupsionin, siç tha ai “duke shembur të paprekshmit dhe të pandëshkueshmit”.

“Ne jemi për t’i dhënë pavarësi Prokurorisë. Jemi për t’i dhënë pavarësi gjykatave, që drejtësia të jetë pronë e të gjithëve. Duam të shembim të paprekshmit, jo vetëm duke kufizuar imunitetin formalisht.”- u shpreh Tahiri.  Ndër të tjera, deputeti Tahiri lëshoi akuza ndaj kryeministrit Berisha në lidhje me pasurinë që sipas tij ka shoferi personal i shefit të ekzekutivit.

“Kush është Met Shkreli zoti kryeministër. Eshtë një oficer në Garde, prej më shumë se 10 vjetësh është shofer i Berishës. Ai ka blerë 49% të aksioneve të shoqërisë “Miti 03” dhe ka një galeri kromi në Bulqizë. Mendoni se ku është katandisur pasuria kombëtare. Çfarë lloj imuniteti ka shoferi yt, përveç të pasurit imunitet personal prej teje. Nuk ka shofer kryeministri në botë që të ketë galeri kromi. Kemi më shumë se 5 muaj që kërkojmë interpelancë për masakrën që po ndodh në Bulqizë”- deklaroi Tahiri.

BERISHA-TAHIRIT: TI CEKISTI ME DOGANAT, THUJU FAKIRËVE C’LIDHJE KE
“Ke punë shumë ti me ilaçet, ndaj të duhet imuniteti ty, thuaji këtyre të tjerëve fakirëve që s’kanë punë me doganat. Se ti je nga cekistët që kundërshton heqjen e imunitetit. Se kërkon traun e doganës për ilaçet”, iu drejtua Berisha Tahirit, por ky i fundit reagoi nga salla ndërsa ndërhyri për të vendosur qetësi kryeparlamentarja Topalli. (LajmeShqip.com)

****************************************************

Tiranë -Kuvendi nisi në orën 10:30 punimet e seancës së posaçme parlamentare, për të votuar draftin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit. 

Sipas opozitës, e cila është e pranishme në sallën e Kuvendit, “6 gushti është një datë e përcaktuar në mënyrë arbitrare nga shumica”. Opozita ka këmbëngulur që votimi për imunitetin duhet të kryhet në shtator, së bashku me një paketë tjetër ndryshimesh kushtetuese që lidhen me sistemin e Drejtësisë. Këtë qëndrim të opozitës mazhoranca e ka cilësuar bllokues për Shqipërinë që në vjeshtë pritet të marrë statusin e vendit kandidatit në BE. “6 gushti është përcaktuar në bazë të rregullores parlamentare”, ka argumentuar mazhoranca, duke ftuar opozitën të votojë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe integrimit të vendit në BE. 

BERISHA: PS DO IMUNITETIN, BLLOKON PËR HERË TË 3-TË STATUSIN PËR NË BE
Ora 11.10-Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në seancën e veçantë parlamentare për heqjen e imunitetit se PS me qëndrimin kundër për të votuar amendamentet kushtetuese paralajmëron bllokimin për të tretën herë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Sipas Berishës, deputetë milionerë të PS e përdorin imunitetin për transporte të dyshimta, lëvizje trau në dogana.  “Ju duhet imuniteti për në dogana, për ilaçet të kërcënoni doganierët të lëvizin traun. Ju ikën bamirësat e Topit. Nuk e doni korrupsionin, atëherë urdhëroni ta lëvizim imunitetin”.

Kreu i qeverisë theksoi se lufta kundër korrupsionit është një ndër kushtet e BE dhe se kjo luftë nënkupton reformën në sistemin e imuniteteve.
“Është thelbësore lufta kundër korrupsionit. Kjo përfshin reformën e sistemit të imuniteteve, reformën e sistemit të imuniteteve”. Pretendimi i PS se data 6 gusht është herët, sipas Berishës ka një qëllim të vetëm, bllokimin e statusit të Shqipërisë si vend kandidat në Bashkimin Europian.  “Xhafaj në 12 korrik nuk thotë një fjalë dhe nuk kundërshton kur caktohet data 6 gusht. Del Xhafaj që thotë pastaj se data 6 gusht u caktua nga Sali Berisha. Ky parlament ka një regjistrim zanor dhe me kamer dhe të jap fillimin dhe miratimin e kalendarit në 12 korrik. Në këtë datë u votua se do të jetë 6 gusht që do të votohen amendamentet e kushtetutës, kjo se kërkohej koha e shkurtuar e 2 amendamenteve”.

“Ta kthejmë këtë sot në seancë mashtrimi për qytetarët shqiptarë? Jo. Xhafaj ju doni të bëhet në shtator, por në fakt ju bllokoni sot statusin për të tretën herë dhe caktoni atë pushtet që shqiptarët nuk ua japin. Caktoni si kusht që ju të bllokoni shtetin dhe të kapni institucionet kushtetuese dhe këtë e bëni me qëllime më të papranueshme për shqiptarët. Presidentin e morën ata të cilët në përputhje me kushtetutën kishin votat, dhe ju kur hoqët 3/5 për presidentin e bëtë se besonit se kryetari juaj do ishte kryeministri i radhës apo një nga ju presidenti i radhës. Unë s’e bëra këtë e bëra për ti hequr një nen krize kushtetutës së vendit”.

Berisha më tej vuri në dukje se maxhoranca ka pranuar cdo propozim nga PS.
“Ju kërkuat që banesa mos të kontrollohet pa u miratuar në parlament, të mos arrestohet deputeti pa u miratuar në parlament, e pranuan sic propozuat ju. Në vijim këtu pasi plotësuam cdo kërkesë tuaj, por ne nuk ju bindëm dot kurrë për të mos bllokuar për të tretën herë radhazi statusin, dhe ju thoni se imuniteti nuk është kusht për statusin, por ja që qenka kusht për statusin”. Kreu i qeverisë ftoi dhe njëherë PS të votojë heqjen e imunitetit. “Mos bëjmë sofizma, duhet të jemi qytetare të barabartë para ligjit. Kjo është thirrja e kryeministrit të vendit”.

XHAFAJ: DEBATI I SOTËM , JOPRODUKTIV
Ora 10:30-Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ishte i pari që mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit, ku nënvizoi rëndësinë, që sipas opozitës, ka votimi i draftit të imunitetit në shtator, bashkë me paketën e ndryshimeve kushtetuese në sistemin e drejtësisë. Xhafaj e cilësoi joproduktiv debatin e sotëm në Kuvend dhe tha se shtyrja e votimit në shtator nuk ndikon negativisht në procesin integrues të Shqipërisë.

“Ta shikojmë këtë seancë si pjesë e vullnetit të përbashkët. T’i hapim rrugë procesit për amendamentet kushtetuese të propozuara nga ana jonë në një projekt të vetëm brenda muajit shtator. Një votim sot e një votim në shtator do të ishte si një votim sot për statusin e PD-së e një votim në shtator për statusin e PS-së” – deklaroi Xhafaj. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Xhafaj, u shpreh se, “Kryeministri thotë se data 6 gusht është detyrim ligjor i amendamentit që ka sjellë PS-ja, për procedurën e ndryshimeve kushtetuese, por logjika e rregullores është e qartë, data e votimit në seancë lidhet me kalendarin e punës së komisionit, kushtëzohet me kohën kur ky komisionin miraton raportin, pra data e votimit arrihet nga ecuria e shqyrtimit dhe vendoset pas këtij procesi si hapi fundor i saj”.

PS MBLEDH GRUPIN PARLAMENTAR
Ora 09:15-Partia Socialiste mblodhi rreth orës 09:15, grupin parlamentar të saj për të vendosur përfundimisht qëndrimin që do të mbajë në seancën e sotme parlamentare. Mbledhja zgjati vetëm 5 minuta ndërsa deputetët u shprehen se në seancë nuk do të ketë surpriza. Deputetët socialistë do të jenë në sallën e Parlamentit, por do t’i qëndrojnë vendimit për të mos e votuar sot projektin, që është rënë dakord me PD-në. Mësohet se në fillim të seancës do të diskutojnë përfaqësuesit e PS-së, Gramoz Ruçi ose Pandeli Majko, i cili është edhe negociatori i PS-së me PD-në gjatë diskutimit për heqjen e imunitetit. Diskutime do të ketë edhe nga shumë deputetë të tjerë. 

PD: RAMA MOS BLLOKO STATUSIN, VOTOJE
Një ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi ka theksuar se “Partia Demokratike fton sërish kryetarin e Partisë Socialiste z.Edi Rama të mos bllokojë heqjen e imunitetit dhe procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por të lejojë grupin e tij që të votojë ligjin e miratuar me konsensus të plotë të perfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit, si një interes jetik i çdo qytetari shqiptar”. 

Sipas saj, shqiptarët presin të shohin realitet ëndrrën evropiane.
“Partia Demokratike fton kryetarin e Partisë Socialiste të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat, por të lejojë deputetët e Partisë Socialiste që me voten e tyre të shndërrojne 6 Gushtin në një fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, përfaqësuesit dhe forcat e tyre politike. ”- tha ajo.  “Ata me të drejtë presin që nesër të zgjedhurit e tyre të faktojnë para qytetarëve se ata me vullnetin e tyre do të votojnë heqjen e imunitetit, rrëzimin e murit të tij në mënyra që pas datës 6 Gusht askush të mos mund të perdorë imunitetin si mburojë për pasurimin të paligjshem duke fshehur taksat dhe tatimet apo duke u majmur me rryshfete apo trafiqe kriminale. ”- theksoi me tej Bardhi.

Zëdhënësja theksoi se, duke bllokuar imunitetin Rama u thotë shqiptarëve se do të bllokojë për të te tretin vit radhazi marrjen e statusit kandidat. “Duke ftuar Ramën të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit PD garanton shqiptarët se asgjë nuk pengon verdiktin e tyre për rrëzimin e murit të korrupsionit”- tha ajo.  Sipas selise blu, nese Rama vepron te kunderten deshmon qarte se eshte pjese e pazareve te miliardereve te PS-se. “Duke kërkuar në shkëmbim të votes së tij për heqjen e imunitetit përmbysjen e kushtetutës demokratike me kushtetutën e sundimit të pakicës z. Rama dëshmon se atë që ai nuk merr dot me vota kërkon ta marrë me pazare shtetin për interesa të ngushta të këshillit të milardierëve të Partisë Socialiste”. 

Thirrja e PD u be një ditë para se Kuvendi të votojë për heqjen e imunitetit përmes ndryshimeve kushtetuese. Sot pritet të mblidhet Parlamenti në seancën e veçantë për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Data, e cila është përcaktuar jashtë kalendarit normal të punimeve parlamentare, është vendosur nga Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare. (LajmeShqip.com)