Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 18:11

Prishtinë – Nxirret vendimi i Kolegji Penal në rastin Tolaj, lidhur me ankesat e mbrojtjes dhe të prokurorisë, me të cilin vendim ky kolegj i ka hedhur poshtë si të pabazuara deklaratat e Haki Ejupit, ish-shef i Inspektoratit Farmaceutik, që i kishte dhënë në prokurori, për të cilat deklarata mbrojtja thotë se prokurorja e ka intervistuar atë në cilësinë e të dyshuarit, përderisa është refuzuar kërkesa e mbrojtjes lidhur me imunitetin e Bujar Bukoshit.

Nxjerrjen e këtij vendimi e ka konfirmuar për Kosovapress edhe Besnik Berisha, avokat mbrojtës i Bukoshit, duke thënë se e kanë pranuar vendimin e panelit.

Sipas tij, në këtë vendim të Kolegjit Penal janë hedhur poshtë deklaratat e një dëshmitari, i cili, sipas Berishës, është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, përderisa është refuzuar sa i përket interpretimit në raport me imunitetin e Bukoshit.

“Aprovimi ka të bëjë me shpalljen e papranueshme të një deklarate të një dëshmitari siç e paraqet prokuroria, ndërsa është intervistuar në cilësi të të dyshuarit, ndërsa është refuzuar sa i përket interpretimit në raport me imunitetin e Bukoshit”, ka thënë avokati Berisha.(LajmeShqip.com)