Lajme Shqip Friday, 07 October 2011 09:41

Tiranë – Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur prej dy ditësh në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel për të diskutuar për disa problematika që lidhen me përdorimin më të mirë të buxhetit të mbrojtjes dhe zhvillimin e kapaciteteve të NATO-s e deri tek operacionet aktuale në të cilat është e angazhuar Aleanca, si Libia, Afganistani dhe Kosova.

Gjatë punimeve të këtij ministeriali,  ministri  Arben Imami ka deklaruar se pavarësisht shtrëngesave buxhetore, Shqipëria mbetet e angazhuar për t’u qëndruar detyrimeve të saj, dhe për të kontribuar për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Aleancës dhe për të kontribuar në misionet e saj.

“Shqipëria është e vendosur t’i shkojë kësaj rruge, të mbështesim siç vendosëm edhe dje së bashku, të gjithë ministrat, fjala vjen vëzhgimin tokësor. Kontributet do të rriten. Ky është një detyrim për shkak se ne, sigurinë tonë kombëtare e kemi të mbështetur tek kjo siguri kolektive”, ka theksuar Imami.

Gjithashtu ministri i Mbrojtjes ka konfirmuar se NATO mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës dhe se zgjidhja e vetme për problemet në veri, është një zgjidhje politike, që duhet të vijë si fillim nga Beogradi.

“Fakti është se e gjithë kjo përpjekje e NATO-s, i gjithë ky buxhet që harxhohet atje, vjen për shkak se, Beogradi mbështet pikërisht këto struktura paralele, në një mënyrë ose në një tjetër edhe grupet kriminale kanë fijet edhe lidhjet e tyre në Beograd. Sigurisht që ka nevojë për një zgjidhje politike, në këtë kuptim, besoj se zgjidhja politike në radhë të parë  i takon Beogradit për të respektuar nevojat dhe interesat e paqes dhe stabilitetit  në rajon”, është shprehur Ministri Imami.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, ka përforcuar angazhimin e NATO-s në Kosovë. “Ne mendojmë, se KFOR-i ka vepruar me kujdes, me rreptësi dhe neutralitet. Ne nuk do të tolerojmë që dhuna të rikthehet në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë që të përmbushë mandatin  e tij, duke siguruar një klimë të sigurt dhe të qetë”, është shprehur Rasmussen.

Më tej, ministri Imami përmendi edhe rritjen e kapaciteteve të Forcave tona të Armatosura dhe kontributin gjithnjë e në rritje që vendi ynë po jep në kuadër të operacioneve të Aleancës.

“Për herë të parë kemi çuar një kompani speciale e cila kryen misione luftimi. Kemi çuar një grup OMLT, i cili do të ngrejë në këmbë një batalion të forcave Afgane të sigurisë. Kemi çuar së bashku me vende të tjera të rajonit, personel për ngritjen e një shkolle të policisë ushtarake Afgane. Do të çojmë në fillimin e vitit  të ardhshëm një ekip  trajnues, mjekësor dhe shëndetësor. Po mendojmë për ngritjen e kapaciteteve të tjera të kësaj natyre”, shtoi Imami.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë diskutuar në Bruksel për konceptin e ri të mbrojtjes të shtyrë përpara nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen për “Mbrojtjen Inteligjente”, e cila parashikon përdorim më efikas të buxhetit të mbrojtjes nga vendet anëtare si dhe rritje të kapaciteteve ushtarake të Aleancës nëpërmjet këtij përdorimi efikas të parave.

Një diskutim më i gjerë për mbrojtjen inteligjente do të zhvillohet në samitin e radhës të NATO-s, i cili pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm në Çikago, SHBA. Ministrat e Mbrojtjes kanë shprehur angazhimin e vendeve anëtare të NATO-s, për vijimin e operacionit në Libi si dhe për ndihmën që do i jepet Afganistanit edhe përtej periudhës së tranzicionit, e cila pritet të përfundojë në vitin 2014.