Lajme Shqip Monday, 01 April 2013 19:31

TIRANË – Nga dje dhe sot vijuan apelet e përfaqësuesve të së majtës evropiane që kërkuan bashkimin në aleancë të PS dhe LSI për zgjedhjet parlamentare. Sipas së majtës evropiane, nëse Meta bëhet bashke me Ramën, vetëm në këtë mënyrë largohet Berisha nga qeverisja dhe vendi integrohet në BE.

Ndërsa apelet vijonin, paradite u shënua në kryeministri një takim i Berishës me Metën. Kreu i LSI komentoi shumë shkurt mbi aludimet për një marrëveshje të mundshme mes PS e LSI.

Ndërkohë burime nga selitë e partive konfirmojnë se ka një marrëveshje mes Ramës dhe Metës.

RAMA-META, JA MARRËVESHJA, PS MIRATON 3 LIGJET, LSI IKËN NGA QEVERIA
Burime brenda PS e LSI konfirmuan për “News 24″ se realisht është bërë një marrëveshje mes Ramës dhe Metës.
“PS miraton 3 ligjet, LSI ikën nga qeveria me Berishën”, është thelbi i marrëveshjes mes PS dhe LSI.
Ndërkohë nesër kryesia e Partisë Socialiste fton zyrtarisht LSI për koalicion.

BERISHA TAKON METEN
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim në Kryeministri me kreun e LSI-së Ilir Meta. 

Takimi mes kryeministrit Berisha dhe aleatit të tij Meta vjen vetëm një ditë pasi Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian Gianni Pittella i bëri thirrje kreut të LSI-së Ilir Meta që të bashkohet me PS-në për të arritur një fitore në 23 qershor.

Po sot, apeleve iu shtua thirrja e Presidentit të Internacionalistet Socialiste Jorgos Papandreu. Papandreu iu drejtua dy kryetarëve të partive të majta, PS dhe LSI që të bashkëpunojnë në këto zgjedhje parlamentare me qëllimin e vetëm që të largojnë nga pushteti kryeministrin Berisha.

Pas apeleve nga jashte vendit, sot Berisha priti në Kryeministri Meten. Takimi është zhvilluar për 40 minuta ndërsa në fokus të bisedimeve mendohet të ketë qenë koalicioni parazgjedhor mes LSI-së dhe Partisë Demokratike. 
META
I ndodhur rreth mesditës në ambientet e ‘Rogner”, Meta u pyet nga mediat se për çfarë diskutoi me kryeministrin Sali Berisha sot paradite. Por kreu i LSI vlerësoi se meqë sot është 1 Prilli, nuk ka vlerë asnjë deklaratë.
Meta preferoi të përgjigjej shumë shkurt për mediat. “Sot është 1 Prill dhe në 1 Prill nuk ka vlerë të bëhet ndonjë deklaratë se nuk e di sa e besueshme do jetë deklarata”.

I pyetur mbi apelet që po bën e majta evropiane, që LSI dhe PS të jenë bashkë në zgjedhjet parlamentare, Meta tha se “këto janë qëndrime të cilat në fund fare do i vlerësojnë forumet e LSI”.

Ndërkohë, deputeti i LSI, Lefter Koka, në një prononcim për mediat theksoi se nuk ka asnjë ftesë zyrtare të PS. Në një deklaratë për mediat, jashte sallës së Kuvendit, Koka ka thënë se zgjidhja që do të bëjë LSI do të jetë në shërbim të vendit dhe të saj.

“Kreu i LSI, zoti Meta e ka bërë të qartë që do të jenë strukturat e partisë që do të marrin vendimin e duhur në shërbim të Shqiperisë dhe të LSI-së”- tha ai.

Sipas tij, LSI është një forcë e majtë dhe që PS mund të bëjë thirrje për koalicione, kjo ishte gjëja më normale. “Mirëpresim çdo bashkëbisedim me forcat politike, por në shërbim të vendit”,- tha ai.

Sipas Kokës, struktura të LSI do të vendosin këtë muaj mbi vendimet që do të merren mbi koalicionet për zgjedhjet parlamentare.
Koka theksoi se LSI do të vijojë të jetë fuqishëm në Parlamentin që pritet të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. 

Presidenti i Internacionales Socialiste apel Edi Rames dhe Ilir Metes. Papandreu: Bashkepunoni per zgjedhje, të bashkuar mundni Berishën
 
Apeli i Presidentit të Internacionalistet Socialiste George A. Papandreou ishte sot thirrja e radhës nga e majta evropiane drejtuar Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Papandreou iu drejtua dy kryetarëve të partive të majta, PS dhe LSI që të bashkëpunojnë në këto zgjedhje parlamentare me qëllimin e vetëm, të largojnë nga pushteti, kryeministrin Berisha.
“Një qeveri e majtë do të sjellë integrimin e vendit”, thotë mesazhi i presidentit të Internacionales Socialiste.

APELI I PLOTE I PRESIDENTIT TË INTERNACIONALES SOCIALISTE
“Në cilësinë e Presidentit të Internacionales Socialiste dëshiroj t’ju bëj një thirrje Zëvendës Presidentit tonë dhe njëherazi Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Unë u bëj thirrje të dyve për ta konsideruar në mënyrë serioze bashkëpunimin mes forcave të tyre, duke patur parasysh zgjedhjet e qershorit 2013 që po afrojnë.

Pavarësisht dallimeve, sot sfida e vërtetë është krijimi i një fronti të bashkuar progresist. Ky front i bashkuar progresist do t’i mundësojë vendit ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të garantuar një shoqëri më të ndershme me institucione demokratike, transparencë dhe llogaridhënie. Këto reforma janë të nevojshme qoftë për të siguruar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, qoftë për të garantuar liri dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri nevojiten zgjedhje të lira e të ndershme dhe një shumicë e re qeverisëse që të jetë e vendosur dhe e gatshme për të garantuar sundimin e ligjit. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin, për Europën dhe më gjerë.

Në këto kohë sfidash dhe krize ekonomike, progresistët, socialistët dhe socialdemokratët kanë përgjegjësinë të garantojnë që interesat e njerëzve të dëgjohen dhe shihen si prioritet, duke garantuar një funksionim transparent të qeverisjes dhe institucioneve demokratike.

Bashkimi mund të sjellë fitoren dhe fitorja mund të sjellë shpresë dhe ndryshim. Dëshira ime është që të dy ju, të dashur Edi dhe Ilir, ta shfrytëzoni këtë mundësi historike.

Mund t’ju garantoj se do të keni mbështetjen e plotë të të gjithë familjes sonë progresiste në përpjekjen e vështirë dhe të guximshme drejt përmbushjes së synimeve dhe vlerave tona të përbashkëta”.(LajmeShqip.com)