Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 12:24

Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda e ka pyetur Zëvendëskryeministrin Hashim Thaçin se pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në organizatën e OKB’së, UNESCO, përmes misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Thaçi nuk është përgjigjur në këtë pyetje vetëm se ka kërkuar nga Deda të ndimojë procesit të anëtarësimit dhe të mos merret me çështje procedurale.

“Kërkesa për anëtarësim në UNESCO është bërë në përputhshmëri në Kushtetutën e Kosovës dhe me prezencën ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi, në seancën e sotme të Kuvendit.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se prioritet i Kosovës është anëtarësimi i Shtetit në organizata, rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

“Natyrisht, është bërë një lobim shumë i fuqishëm nga ana e Kosovës së bashku me partnerët ndërkombëtar. Jemi dëshmitar të reagimeve shqetësuese të Qeverisë së Serbisë. I tërë procesi po shkon në favor të Kosovës. Përfitimet do të jenë të shumanshme.

“Procesin e ka udhëhequr Ministri e Punëve të Jashtme në koordinim me Kryeministrin, Presidenten”, ka shtuar ai.

Ndryshe, Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara e themeluar më 16 nëntor 1945.

Qëllimi i deklaruar i kësaj organizate është të kontribuojë për paqen dhe sigurinë në Botë duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtare përmes arsimit, shkencës, dhe kulturës, shkruan Gazeta Express.