Lajme Shqip Sunday, 13 September 2015 08:08

Bashkimi Evropian ua ka hapur dyert refugjatëve nga Siria, por ua ka mbyllur emigrantëve nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Të parët kërkojnë strehë në Evropë për t’u shpëtuar bombardimeve të regjimit të Bashar al-Assadit dhe mizorive të militantëve të Shtetit Islamik, të dytët ndaj varfërisë dhe mungesës së perspektivës në shtetin e zhytur në krim e korrupsion. Të përbashkët e kanë ikjen prej zori.

Si sirianët refugjatë ashtu edhe si shqiptarët migrues shpëtimin po e shohin brenda 28 shteteve të BE-së.

Rruga drejt Perëndimit shpesh u bë vdekjeprurëse për ikanakët e të dy popujve.

Një vajzë 18- muajshe nga Kosova ka ndërruar jetë në kufirin Serbi-Hungari teksa familja po bënte përpjekje që të kalonte ilegalisht kufirin. Kurse javë më parë, pa shenja jete pranë brigjeve të detit turk, u gjend fëmija 3-vjeçar nga Siria- Aylan.

Fotografia e trupit të tij pa jetë tronditi botën dhe BE-ja u mobilizua që t’i hapë kufijtë. Për t’u bërë vend refugjatëve sirianë, Evropa tani kërkon riatdhesim të shpejtë të kosovarëve të cilët migruan shkaku i gjendjes së rëndë socio-ekonomike. Gjasat janë minimale që ndonjëri prej tyre të marrë statusin e azilantit.

Fatin e refugjatëve sirianë shqiptarët e Kosovës e kanë përjetuar më 1999, kur forcat policore dhe ushtarake serbe i dëbuan me dhunë dhe Evropa i strehoi dhe u dha azil.

Por tani Kosova për Evropën është shtet me prejardhje të sigurt dhe varfëria e shkaqet ekonomike nuk janë arsye të mjaftueshme për t’iu bërë strehë kosovarëve. /Koha Ditore/