Lajme Shqip Thursday, 09 August 2012 14:40

Tiranë -Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar sot me propozim nga kryeministri Sali Berisha lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH, Bahri Shaqiri.  Me propozim të kryeministrit në këtë post u emërua Visho Lika.

“Presidenti i Repubikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 92, germa “f”, dhe nenit 93 të Kushtetutës si dhe nenit 5, paragrafit 2 të Ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, të zotit Visho Ajazi Lika”, citon sot zyra për shtyp e kreut të shtetit. 

Visho Lika ka shërbyer në SHIK në kohën e Bashkim Gazidedes, ndërkohë ka patur dhe poste qeveritare sic ka qenë ajo e zv/ministrit të Inovacionit të Shtetit.

Shkarkimi i Bahri Shaqirit ishte paralajmëruar nga kryeministri Berisha pas ngjarjeve të 21 Janarit, 2011. Kryeministri Berisha akuzoi kryeprokuroren Ina Rama dhe Bahri Shaqiri të dy si puçistë. Të parën sepse donte t’i burgoste gardistët dhe të realizohej grushti i shtetit, dhe ndaj të dytit se nuk i ka dhënë informacione për kriminelët në demonstratë.
Kreu i SHISH mund të hiqej me 70 plus 1 votë, pra me shumicën e vendeve në parlament dhe këto kartona maxhoranca i zotëronte, por pengesa ishte ish-presidenti Bamir Topi. (LajmeShqip.com)