Lajme Shqip Wednesday, 16 January 2013 13:03

KOSOVE -Ish-komandanti i brigadës së Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, (UÇPMB) Lulzim Ibishi, paralajmëron se do të ketë të arrestuar dhe viktima në rast se forcat serbe prekin lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.

“Në rast të intervenimit të dhunshëm, sigurisht që do të ketë kundërpërgjigje të fortë nga shqiptarët. E në këtë rast, viktimat nuk përjashtohen”, ka thënë Ibishi. Ai ka theksuar se çështja e lapidarit në fillim është përdorur për marketing të brendshëm politik në Serbi, por ndërkohë kryeministri serb, Ivica Daçiç dhe presidenti Tomislav Nikoliç kanë dhënë deklarata ‘rrahagjokse’, duke mos mundur më të tërhiqen prapa. Ibishi mendon se liderët serbë ndoshta do të donin ta shuanin këtë problematikë, por tani nuk munden më. “E mira në këtë situatë është se edhe liderët institucionalë e politikë të shqiptarëve, shoqatat e ish-luftëtarëve edhe qytetarët janë më të bashkuar se kurrë më parë për të kundërshtuar heqjen e përmendores”, ka vijuar ish-komandanti.

Edhe liderët e dy vendeve kanë reaguar lidhur me këtë çështje. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim ditën e djeshme një delegacion të përfaqësuesve shqiptarë të Luginës së Preshevës. “Shtetet demokratike në mbarë botën e kanë për detyrë thelbësore që të përkujdesen për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të të gjitha komuniteteve. Një standard i tillë demokratik duhet të respektohet edhe nga Serbia, ashtu siç respektohet plotësisht në Kosovë”, deklaroi Thaçi. Ai theksoi se situata duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut. Nga ana tjetër, Ivica Daçiç këmbëngul për heqjen e lapidarit. “Sikurse amerikanët nuk lejojnë vendosjen e përmendores së Al Qaedes edhe Serbia nuk do lejojë ngritje lapidarësh brenda territorit të saj në Preshevë”, ka thënë ai. Daçiç ka përsëritur edhe njëherë thirrjen se do jetë shumë më mirë që shqiptarët ta zhvendosin vetë lapidarin në qendër, pasi në të kundërt do veprohet sipas ligjit.

Deklarata më e fortë nga pala serbe lidhur me këtë çështje është bërë në internet njësia për ndërhyrje operative JSO. “Shqiptarëve rrugën për në ferr do t’ua sigurojmë ne”, shënohet në njoftimin e JSO, në të cilin kërcënohen shqiptarët në rast se kundërshtojnë heqjen e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë. Kjo njësi, e cila është jashtë funksionit që nga viti 2003 ka qenë pjesë e rregullt e forcave policore të Serbisë. Ajo kryesohej dikur nga Millorad Ullemek, i njohur si Llegia, që aktualisht ndodhet në burg për shkak të vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiç.(LajmeShqip.com)