|
|
e Shtunë, 21 Korrik 2012 16:08 Prishtinë – Me rastin e gjetjes së trupit të pajetë të poetit të madh Ali Podrimja në Francë, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ngushëlloi familjen Podrimja, komunitetin letrar në Kosovë dhe gjithë popullin e Kosovës.
“Është vërtetë moment i vështirë për të thënë çfarëdo fjale për njeriun që me krijimtarinë e tij inspiroi breza të terë dhe shpërndau anekënd botës gjithë pasurinë dhe elanin e kombit tonë për letërsinë dhe artin në përgjithësi”. “Vdekja e poetit me renome ndërkombëtare, krenarisë sonë, Ali Podrimja është një humbje e gjithë kombit shqiptar, e padyshim dhe e gjithë komunitetit letrat dhe artistik në botë. Krijimtaria e tij, dhe gjithë ajo miqësi që kishte krijuar për vite me radhë me njerëzit e letërsisë dhe artit në tërë botën, ndihmuan shumë që Kosova të ketë respektin e merituar në botë. Kam pasur nderin që e kam njohur dhe ka qenë gjithmonë një motivim për mua”, thuhet mes tjerash në telegramin ngushëllues të ministrit Krasniqi.
***********************
Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të partisë që ai drejton, për ndarjen nga jeta të poetit tonë të mirënjohur, Ali Podrmija.
Në telegramin e ngushëllimit, mes tjerash, kryetari Mustafa ka thënë se kanë pranuar të tronditur lajmin për shuarjen e poetit, pasi që, sipas tij, “Ali Podrimja ishte një krijues me dhunti të veçanta, një poet që kaherë i kishte kapërcyer kufijtë nacionalë, duke u bërë vlerë e artit të përbotshëm”. “Ali Podrimja ka qenë dhe do të mbetet emblemë e poezisë së krijuar në Kosovë, po edhe të poezisë shqipe në përgjithësi. Ndaj, ikja e tij është një goditje e rëndë për të gjithë komunitetin tonë letrar e artistik”, thuhet mes tjerash në telegramin ngushëllues të LDK-së.
Më tej, në telegram, kryetari Mustafa ka thënë se “Ali Podrimja ishte ndër krijuesit e brezit të njohur të letrave shqipe, i cili, më 1971, botoi në “Rilindje” tekstin me titull “Vox Clamantis in Deserto” (Zëri i të dëshpëruarit në shkretëtirë)”. “Ky tekst kritik e programatik, i nënshkruar nga krijues të tjerë, miq të Podrimjes, si Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Gani Bobi, Mensur Raifi etj., jo vetëm që pati bërë bujë të madhe, por qe shndërruar në një lloj manifesti edhe për brezat e mëvonshëm krijues, sidomos në Kosovë, sepse ishte i pari tekst që hapur i shpallte luftë realizmit socialist në letërsi dhe në artet e tjera. Me të gjitha veprat e tij, po sidomos me kryeveprën “Lum Lumi”, Ali Podrimja arriti ta universalizojë dhimbjen dhe tragjedinë personale, arriti që vargun shqip ta skalisë përsosmërisht”, thuhet më tej në telegram.
Në këto çaste të rënda dhimbjeje, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me familjen Podrimja dhe me të gjithë ata që e njohën dhe e deshën poetin më në zë të Kosovës, Ali Podrimja, vepra e të cilit do të jetojë gjatë, si një shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit dhe i lidhjes së një krijuesi me fatin e vendit të tij.
**************************
Ndërkaq, me rastin e marrjes së lajmit për gjetjen e trupit të pajetë të poetit Podrimja, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një telegram ngushëllimi. “Me tronditje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta e poetit Ali Podrimja. Ikja e Ali Podrimes është humbje e rendit poetik e njerëzor. Poetika në shqip, humbi poetin, miqtë e familjarët, njeriun, e arti e ka veprën e tij, e cila do të jenë frymëzim i shumë brezave të ardhshëm. Shprehim ngushëllimet tona të thella familjes, miqve dhe bashkëkrijuesve të Ali Podrimes. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, thuhet në telegramin e Vetëvendosjes.
**************************
Ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit të madh, Ali Podrimja, ka shprehur edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili, veç tjerash, poetin Podrimja e ka cilësuar si humbje të madhe, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës. “Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj.
***************************
Edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Podrimja, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, poetit kosovar me përmasa ndërkombëtare, Ali Podrimja. Në telegram thuhet, presidentja ka thënë se lajmin për gjetjen e trupit të pajetë të poetit Podrimja, e morëm me dhimbje të thellë e trishtim.
“Humbja e Ali Podrimjes nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit e miqtë. Është humbje e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kulturën, për artin, për Kosovën në përgjithësi. Poeti e intelektuali i madh Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, kaloi shumë herët kufijtë e Kosovës dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjera të artit dhe të kulturës duke e ofruar Kosovën me botën. Vepra e madhe e Ali Podrimjes do të jetojë ndër mote, duke ruajtur kujtimin për të dhe duke shërbyer si frymëzim e motivim për brezat e rinj të poetëve dhe intelektualëve të Kosovës. Jemi me ju në këto çaste të rënda dhembjeje e pikëllimi. U prehtë në paqe Njeriu i madh i Kosovës, Ali Podrimja”, thuhet në telegramin ngushëllues të Presidentes Jahjaga. (LajmeShqip.com)