Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 18:49

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, beson se Kosova ka përkrahjen e dy të tretave të nga 47 anëtarët e Këshillit të Evropës që të anëtarësohet në këtë institucion. Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj flet edhe për dialogun me Serbinë, si dhe për dorëheqjen e ish-zyrtarit ndërlidhës Lulzim Peci. Sa i përket rastit të fundit, Hoxhaj ka thënë se asnjë përfaqësues i Kosovës apo ambasador, nuk mund të paraqesë, siç tha ai “egon” e tyre por shtetin e Kosovës.
“Mendoj që çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike dhe në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me udhëzimet tona në fuqi. Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë, qëndrim politik që jep.
Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe më tutje që përcillet me papjekuri politike. Është sjellje jopolitike dhe dëmton imazhin e vendit. Më lejoni të përmend një raport të këtyre ditëve të baroneshës Ashton, të cilin ajo ua ka shpërndarë vendeve anëtare dhe komisionari Fyle e përmend këtë dorëheqje, ngase një lajm i tillë nuk ishte i mirë për Kosovën.
Sidomos duhet veçuar edhe pretendimin e tij se ai ka pasur gjoja konflikt me kryeministrin, se kryeministri gjoja qenka kundër normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes nga ana e Serbisë – nuk qëndron. Deklarata të tilla kryeministri ka bërë disa herë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa unë në çdo paraqitje me zyrtarë ndërkombëtarë kam thënë se normalizimi i plotë me Serbinë arrihet atëherë kur Serbia e njeh Kosovën.
Dialogu aktual ka të bëjë me fazën fillestare të krijimit të bazës se si do të normalizohen këto marrëdhënie”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërkaq sa i përket komunikatës së lëshuar nga MPJ, e cila është vlerësuar nga opozita si cenim i integritetit të Lulzim Pecit, Hoxhaj ka thënë se sfera politike në Kosovë duhet të përqendrohet më shumë në interest jetike në vend, e jo në politikat e brendshme.

“Mendoj që të gjitha partitë politike në Republikën e Kosovës edhe këto të cilat formojnë koalicionin qeverisës, edhe ato të opozitës, duhet të interesohen për temat, që janë jetike të politikës së jashtme dhe jo për çështje të politikës së brendshme, realisht shpenzohet aq shumë zhurmë”, ka thënë ai.

“Çdokush që synon të thotë diçka për politikë të jashtme, duhet ta shtrojë pyetjen se si Kosova në këto 10 vjetëve të fundit është prapa vendeve të rajonit për 10 vjet me agjendën e tyre evropiane.

Kuptohet që shpjegimi racional është se ne e kemi shpallur pavarësinë para 5 vjetësh, por duhet të angazhohemi që agjendën tonë evropiane ta bëjmë agjendë të të gjithëve. Mandej, kemi vështirësi të mëdha në integrimin e Kosovës në sistem ndërkombëtar.

Edhe më tutje kemi sfida sa i përket forcimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe shumë elemente, të cilat janë të natyrës së politikës së Jashtme. Dhe, fakti që unë nuk dëgjoj sugjerime, propozime dhe këshilla për tema, të cilat e përbëjnë politikën e jashtme të një vendi, mendoj që deklaratat që janë bërë për një rast të caktuar, nuk do të meritonin shumë vëmendje”, ka thënë Hoxhaj.