Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 17:32

Prishtinë – Pavarësia e Kosovës ka krijuar paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan, tha sot ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ndërsa ka theksuar se sovraniteti e territori janë çështje të mbyllura.

Në ditën e dytë të vizitës në Bullgari, Hoxhaj para dhjetëra diplomatëve të shteteve të ndryshme ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Diplomatik të Bullgarisë me temën “Shtetndërtimi dhe perspektiva Evropiane e Kosovës”. “Kosova është shtet sikundër është Sllovenia, e cila është pjesë e Bashkimit Evropian, sikundër është Kroacia që ka marrë ftesën për në BE, si dhe Mali i Zi, që ka shpallur pavarësinë në vitin 2006. Kosova është pjesa e fundit e shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka theksuar Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka thënë se idetë që vijnë nga Serbia për shkëmbimin e territoreve, për ndarje dhe krijimin e shteteve monoetnike, janë ide të rrezikshme dhe mund të prodhojnë vetëm dhunë në Ballkan.

“Të hënën zoti Tadiç propozon ndarje të Kosovës, të martën flet për shkëmbim të territoreve, të mërkurën flet për krijimin e shteteve monoetnike në Ballkan, ndërsa të enjten dhe të premten vjen me deklarata të tjera. Ide të tilla janë shumë të rrezikshme dhe mund të prodhojnë dhunë, jostabilitet dhe mund ta kthejnë Ballkanin 20 vjet mbrapa. Kufijtë e Ballkanit janë vendosur, janë stabilë dhe çështja e sovranitetit, e territorit janë çështje të mbyllura”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj tha se marrëdhëniet e mira mes shteteve të rajonit varen nga perspektiva e qartë evropiane që duhet të kenë shtetet e Ballkanit. Me këtë rast, ai ka ritheksuar nevojën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Evropë dhe nevojën e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, po ashtu, ka takuar anëtarët e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Bullgarisë.