Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 18:14

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke iu referuar perspektivës evropiane të shteteve të Ballkanit, ka thënë se Kosova është kundër çdo hapje të negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, derisa Beogradi refuzon ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. 

“Ne besojmë se Serbia duhet të pranojë pavarësinë tonë dhe ta sheh realitetin. Dy vendet tona duhet të punojnë së bashku që të mund të hyjnë një ditë në Bashkimin Evropian. Në qoftë se serbët nuk e pranojnë atë dhe nuk kanë marrëdhënie të mira me fqinjët e tyre, do të jetë e pamundur për ta që t’i bashkohen Evropës”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për “Radio France Internationale”. 

Hoxhaj u ka bërë thirrje Francës dhe vendeve tjera evropiane që ta bindin serbët që të hapin kapitullin e pajtimit me Kosovën, duke pranuar pavarësinë dhe realitetin e ri në Ballkan. 

“Unë nuk mendoj se Evropa mund të pranojë anëtarësimin e një vendi që ka shumë probleme dhe konflikte me shtetet e tjera në rajon. Ka ardhur koha për diplomacinë evropiane. Evropa duhet të ushtrojë më shumë presion -qytetarët e Serbisë, Kosovës dhe i gjithë rajoni do të përfitojë”, ka thënë ai.