Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 08:52

Prishtinë – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjykon se idetë e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç për Kosovën janë kundër vlerave evropiane.
Gjatë vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, kreu i diplomacisë kosovare në një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, i është përgjigjur interesimit të gazetarit Michael Martens për zhvillimet kryesore në dhe rreth Kosovës, e veçanërisht raporteve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
I pyetur rreth deklaratave të Presidentit Tadiç se “politikanët shqiptarë kanë qëllim afatgjatë Shqipërinë e Madhe”, Hoxhaj ka theksuar se një deklaratë e tillë nuk ka të bëjë aspak me realitetin.
“Ajo çka ai thotë është në kundërshtim me çdo gjë që simbolizon Evropën. Krijimi i shteteve monoetnike, lëvizja e kufijve, ndërrimi i territoreve, të gjitha këto janë shumë të rrezikshme. Kufijtë e Ballkanit qëndrojnë. Kosova është produkti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ky fakt tani njihet nga 76 shtete anëtare të OKB-së”, nënvizon ministri kosovar.
Ndërsa lidhur me çështjen e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj thekson se “në veri të Kosovës më shumë problem është çështje e sundimit të ligjit. Në këtë pjesë, në kohën e administrimit nga institucionet e UNMIK-ut, u krijuan struktura ilegale të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën tone”.
Sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës zgjidhja për veriun është tashmë e njohur, që ka të bëjë me zbatimin e planit  Ahtisaari. “Kushtetuta e vendit duhet të zbatohet edhe në këtë pjesë të Kosovës”, tha ai.
Sa i përket bllokadave që Serbia vazhdon t’i bëjë anëtarësimit të Kosovës në Organizatat Ndërkombëtare, kryediplomati kosovar thekson se “Serbia po përpiqet që ta izoloj, ta paralizoj zhvillimin dhe të dëmtoj sovranitetin e shtetit të Kosovës”.
“Presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga, para pak kohe mori pjesë në Samitin e Varshavës, ku ishte i pranishëm dhe Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, ndërsa Serbia e refuzoi pjësëmarrjen për shkak të pranisë së Kosovës. Për të njëjtën arsye, Presidenti Boris Tadiç anuloi pjesëmarrjen e tij dhe në festën e përvjetorit të Italisë që u zhvillua në Romë. Një sjellje e tillë nuk flet shumë për një politikan që mbështetet në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, përfundon intervistën për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ministri Hoxhaj.