Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 18:04

Romë-Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës, përbën rrezik për stabilitetin jo vetëm në veri të Kosovës por edhe për sigurinë në të gjithë rajonin.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ansamed, të zhvilluar gjatë qëndrimit në Romë, Hoxhaj ka thënë se përpjekjet e Beogradit, paraqesin një shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës dhe se Qeveria e Kosovës do të përdor të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion, për t’i ndaluar ato.

“Vendimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve legjislative e komunale më 6 maj edhe në territorin e Kosovës, përfaqëson një shkelje flagrante të sovranitetit tonë dhe për t’i penguar ato, do të përdorim të gjitha mjetet ligjore që kemi në dispozicion, pasi është në pikëpyetje siguria e të gjithë rajonit”, ka thënë Hoxhaj.

Nëse këto zgjedhje do të mbaheshin edhe në veriun e vendit, ministri Hoxhaj ka paralajmëruar pasoja të rënda afatshkurtra por edhe afatgjata. Hoxhaj, po ashtu ka theksuar se vende të ndryshme evropiane, kanë shprehur kundërshtimin e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës.

“Sjellja e Serbisë është anti-evropiane dhe paragjykon integrimin e serbëve që jetojnë në zonën veriore e vendit tonë”, ka deklaruar Hoxhaj. Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka folur edhe për pritjet që brenda këtij viti të përfundojë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se Kosova do të zbatojë ende ligje të rëndësishme në temën e integrimit të minoriteteve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, por edhe ligje për zhvillim ekonomik dhe social.

Hoxhaj po ashtu ka folur për hapjen e Kosovës për investimet italiane dhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Italisë në fushën ekonomike, tregtare, arsimit por edhe në temën e vizave.

Lidhur e proceset integruese, Hoxhaj ka veçuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Italisë në avancimin e shpejtë të perspektivës evropiane të Kosovës, duke nisur nga realizimi i studimit të fizibilitetit, si hapi i parë drejt marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.