Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 17:55

Prishtinë – Jordania mbështetë përmbylljen e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës. MPJ kosovare njofton se sot, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Jordanisë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me homologun jordanez, Nasser Judeh, i cili e ka siguruar se Jordania do ta mbështesë Kosovën në çdo fushë.

Ai siguroi se diplomacia jordaneze do të angazhohet edhe më tutje në promovimin e pavarësisë së Kosovës në atë pjesë të botës, duke pasur parasysh se Jordania ka një ndikim shumë të fuqishëm në shtetet që e rrethojnë, disa prej të cilave ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm jordanez tha se Mbretëria e Jordanisë do të shtrijë ndikimin tek shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për të avancuar qëndrimet e tyre dhe për të marrë sa më parë një vendim të tillë.

Nasser Judeh është interesuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të Jordanisë me Kosovën në fushën e ekonomisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka informuar Ministrin e Jashtëm jordanez, Nasser Judeh, për progresin sistematik që po shënohet në Kosovë.

Dy ministrat janë dakorduar që të punohet një plan i veprimit mes dy shteteve dhe të nënshkruhen disa marrëveshje të bashkëpunimit mes institucioneve të dy vendeve tona.

Po ashtu, gjatë takimit është biseduar edhe për vizitën që gjatë këtij viti pritet të zhvillojë në Mbretërinë e Jordanisë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me disa ministra dhe përfaqësues të bizneseve kosovare.

Të mërkurën në Amman, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim të frytshëm edhe me Ministrin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës në Mbretërinë e Jordanisë, Prof. Dr. Wajih M. Owais.