Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 16:44

Prishtinë  – Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka paralajmëruar takim për ditën e hënë ku pritet të raportojë edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, lidhur me “Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të planit të zbatimit për këtë marrëveshje”, dhe për dorëheqjen e Shefit të Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd, Lulëzim Pecit.

Kjo sipas televizionit publik është konfirmuar edhe nga kryetari i këtij komisioni, Albin Kurti, i cili sqaron se takimi pritet të mbahet në orën 12:00.

Sipas tij, në një mbledhje ka treguar gatishmëri të jetë i pranishëm edhe Lulëzim Peci, për të sqaruar situatën e krijuar, pas dorëheqjes së tij.

Po ashtu, Albin Kurti ka shtuar se janë bërë më shumë se katër muaj, që komisioni ka kërkuar takim edhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, por që asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Si Komision për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbështetur në fushëveprimtarinë tonë dhe Planin e Programin e Punës për vitin 2013, e patëm ftuar më 11 shkurt Kryeministrin Thaçi që të vijë e të raportojë në Komisionin tonë për dialogun politik me Serbinë në Bruksel, si kryenegociator që është. Ai jo vetëm që nuk erdhi por as që u përgjigj fare. Janë bërë më shumë se katër muaj nga kjo ftesë e jona”, thuhet në njoftimin e Kurtit.