Lajme Shqip Friday, 14 March 2014 22:57

Ministrat e punëve të jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë, Enver Hoxhaj dhe Ditmir Bushati kanë ligjëruar të premten para një audience të përzgjedhurish të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës.

Para diplomatëve, zyrtarëve të institucioneve, përfaqësuesve të shoqërisë civile e gazetarëve dy ministrat u fokusuan në partneritetin strategjik si dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, veçmas pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive në Prizren.

Ministri Hoxhaj gjatë ligjëratës tha se Kosova dhe Shqipëria janë model për rajonin në rrafshin e bashkëpunimit.

Ai tha se për Kosovën ka tri nivele të bashkëpunimit rajonal.

“Niveli i parë është fqinjësia e mirë, niveli i dytë është fqinjësia konstruktive, ku kohëve të fundit kemi reflektuar edhe në disa vende të rajonit, dhe niveli i tretë për ne është partneriteti strategjik. Me Shqipërinë për arsye historike, kulturore, gjuhësore, politike, por mbi të gjitha për arsye ekonomike, jemi partnerë strategjik”, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj po ashtu paralajmëroi se në një të ardhme të afërt ndërmjet Kosovës e Shqipërisë do të jetë mundësia e krijimit të një tregu energjetik të përbashkët, duke shprehur besimin se mbledhja e ardhshme e dy qeverive në Vlorë do të sjellë vendime konkrete.

Ministri Ditmir Bushati tha se rruga e bashkëpunimit do të duhej të shihej me një qasje të integruar me portet, me energjinë, me turizmin, me arsimin, me një qasje tjetër në produktet bujqësore.

“Ne jemi përpjekur për të punuar, për të pasur një dokument i cili thjesht nuk do t’iu shërbejë vetëm qeverive të cilat ne përfaqësojmë, por do të jetë një mekanizëm, një kuadër konceptual i cili do të përcaktojë mënyrën sesi do të ndërtohet edhe më tej ky partneritet strategjik. Pra, jo thjesht inflacion marrëveshjesh dhe në fund të ditës për t’i matur këto, por projekte konkrete dhe bashkëpunim të strukturuar. Ky lloj bashkëpunimi është strategjik për ne, është stabilizues për rajonin dhe është orientues për të gjithë rrugëtimin tonë euroatlantik”, tha Bushati.