Lajme Shqip Saturday, 31 October 2015 08:00

​Anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit me shumicë votash kanë zgjedhur Mujë Berishën për anëtar të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të këtij qyteti, vend ky që kishte mbetur i zbrazët pas dorëheqjes së ish-kryetarit të këtij trupi këshillëdhënës, Vesel Hoxhaj, shkruan sot Koha Ditore.

Ndonëse Berisha ishte i katërti në listë për nga pikët e fituara pas vlerësimit të Komisionit përkatës Komunal, megjithatë këshilltarët e KK-së janë përcaktuar që ta mbështesin kandidaturën e tij. Veç kësaj Berisha ka një dosje në organet gjyqësore pasi më 2013 u dënua për mashtrim në votime.

Ky përcaktim i KK-së ka ngjallur reagime si në mesin e anëtarëve të organit më të lartë komunal ashtu edhe tek aktivistët e shoqërisë civile dhe vetë kandidatët që kanë garuar për të qenë pjesë e këtij Këshilli.

Senat Haliti, arkitekt dhe menaxher projektesh në organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB), kishte marrë në total 78 pikë nga vlerësimi i Komisionit. Arbnora Kolgjeraj, ekonomiste dhe etnologe, ka marrë 68 pikë, derisa arkitektja Artnet Haskuka, 67 pikë. E Mujë Berisha, historian dhe ish-drejtues i arkivit rajonal është vlerësuar me 59 pikë. Hermin Memishi, historian, ka marrë 57 pikë, përderisa Agon Rrezja ka munguar dhe është vlerësuar me 0 pikë.

Kryesuesi i KK-së, Kujtim Gashi, ka theksuar se në çdo forum ka respektuar vlerësimin e Komisionit dhe se ka kërkuar që këshilltarët ta votojnë Senat Halitin për anëtar të KTK-së.

“Ndonëse vota në KK ka qenë e fshehtë, unë publikisht kam pranuar se kam votuar për Senat Halitin, sepse ka qenë më i miri. Megjithatë, vota e Kuvendit padrejtësisht vendosi ndryshe. Bindja ime është se KK-ja është dashur që ta votonte të parin sipas pikëve”, ka thënë Gashi.