Lajme Shqip Sunday, 20 January 2013 15:07

Tiranë – Qeveria shqiptare dënon heqjen e përmendores së dëshmorëve në Luginën e Preshevës. Në reagimin zyrtar të shpërndarë për mediat, qeveria e konsideron heqjen e memorialit të UÇPMB-së si një tjetër dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve të Beogradit. Sipas qeverisë shqiptare, përmes këtij akti Beogradi ka shkelur ligjet dhe konventat ndërkombëtare.
“Qeveria shqiptare u bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.”- nënvizohet në njoftim.

Reagimi i plotë i qeverisë shqiptare
“Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitroloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, i përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës që ranë për tu bërë të pavdekshëm në luftë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar kundër regjimit barabar të Milloshevicit. Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milloshevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit. Me këtë akt të rëndë autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës si dhe Kartën Europiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë.

Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë pa asnjë lëkundje liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat nuk mund të kenë në asnjë rast standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e veriut. Qeveria shqiptare iu bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.”(LajmeShqip.com)