Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 10:00

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, deklaroi mbrëmë se “i vetmi skenar për Ballkanin është integrimi i rajonit në Bashkimin Europian”, duke shtuar se “të gjitha vendet e Ballkanit duhet të përqafojnë vlerat e BE-së dhe të respektojnë minoritetet dhe të drejtat e njeriut”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me ministrin e Jashtëm dhe Integrimit Europian të Malit të Zi, Milan Roçen, Haxhinasto vuri theksin tek projektet e përbashkëta midis dy vendeve, si në infrastruktura rrugore që lidh të dy vendet tona.

“Nëse iu referohemi tezave si shkëmbim territoresh apo ndarje të Kosovës, ne u jemi përgjigjur këtyre tezave, u kemi thënë ‘Jo’ pasi ato janë të dështuara dhe arkaike, nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin që kanë vendet e rajonit, për të ardhmen e tyre në rrugën e integrimin euroatlantik”, tha Haxhinasto.

Duke folur për çështjet kryesore të diskutuara gjatë takimit me homologun e tij të Malit të Zi, Haxhinasto tha se “kemi diskutuar edhe për liqenin e Shkodrës, për ruajtjen e ekosistemit atje dhe për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të jashtëzakonshme turistike dhe ekonomike që ka zona e verilindjes së Shqipërisë”.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Milan Roçen, deklaroi se çështjet e hapura të Ballkanit nuk duhet të bëhen barrierë për integrimin e rajonit në Bashkimin Europian.

“Qëllimi i rajonit është integrimi. Ne të gjithë duhet të përfshijmë Kosovën në të gjitha iniciativat rajonale, por kjo nuk do të thotë që të mos përfshijmë Serbinë. Është e vërtetë që ne donim që të përparonim më shpejt, por me durim të gjithë do të ecim drejt BE-së”, nënvizoi kryediplomati malazez.

Duke ritheksuar faktin se për herë të parë në historinë e Ballkanit objektiv i përbashkët është ai i integrimit, Roçen tha se “askush nuk duhet t’i nënshtrohet tezave që mund të kenë një impakt negativ drejt qëllimit të përbashkët, atë të integrimit në BE”.

Roçen shtoi se “ne na lidh liqeni më i bukur në botë dhe ne duhet të jemi shumë inteligjentë për të shfrytëzuar të gjitha ato potenciale që natyra na i ka dhënë”.

Në përfundim ministri i Jashtëm i Malit të Zi vuri në dukje se “edhe lëvizja e qytetarëve tanë në mënyrë të ndërsjelltë vetëm me letër identifikimi do të ndihmojë edhe përfaqësuesit tanë të biznesit për rritjen e shkëmbimit ekonomik, tregtar dhe kulturor në tërësi”.