Lajme Shqip Thursday, 09 June 2011 14:07

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, deklaroi sot, se “qeveria shqiptare është e gatshme për të vazhduar më tej procesin e integrimit europian të vendit”, ndërsa e cilësoi të rëndësishme në këtë pikë, “respektimin e vendimit të institucioneve të pavarura, nga të gjitha palët”.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me ministrin e Shtetit për Evropën dhe NATO-n të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, zv.kryeministri e falënderoi atë për kontributin personal dhe të Britanisë së Madhe për të mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e rajonit.

“Gjithashtu e falënderova për mbështetjen e Britanisë për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Shengen dhe diskutuam për mundësinë e vendosjes së një regjimi më të liberalizuar për qytetarët shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar”, theksoi Haxhinasto.

Ai bëri të ditur se me z.Lidington është rënë dakord që klimës së shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, t`i shtohet edhe intesifikimi i bashkëpunimit ekonomik.

Lidhur me procesin integrues të Shqipërisë, kryediplomati shqiptar theksoi se “një hap i rëndësishëm në këtë proces, është përfundimi me sukses i procesit zgjedhor, duke respektuar maksimalisht nga të gjitha palët, vendimin e institucioneve të pavarura, konkretisht të Kolegjit Zgjedhor”.

Më tej, numri dy i qeverisë shqiptare bëri të ditur se në takim me ministrin britanik, u bisedua edhe për bashkëpunimin e frytshëm që kemi me Britaninë e Madhe në fushën e sigurisë, në kuadër të NATO-s dhe të inicitivave të tjera, siç është edhe rasti i fundit, ku Shqipëria do të bëhet pjesë e grupit ndërkombëtar për të ndihmuar Tunizinë.

Gjithashtu, ministri Haxhinasto shprehu vlerësimin për rolin e Britanisë së Madhe për të mbështetur njohjet e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera të botës.

“Ramë dakord se tezat për ndryshim kufijsh, shkëmbim territoresh, janë teza që nuk janë aspak në përputhje me frymën e integrimit të rajonit, me frymën evropiane të tij”, deklaroi zv.kryeministri.

Ndërsa, i pyetur nga gazetarët lidhur me kundërshtimin e opozitës ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor dhe nëse shihet ndonjë mundësi kompromisi për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, Haxhinasto deklaroi se “tani është koha që të flasin institucionet, është koha që të flasin gjykatat, dhe kur flasin gjykatat, partitë politike duhet të heshtin”.

“Për sa i takon zgjedhjeve të parakohshme besoj se kjo mazhorancë është solide, ashtu siç u tregua edhe nga vota e përgjithshme kombëtare e këtyre zgjedhjeve, dhe nuk ka asnjë arsye pse zgjedhjet e tjera të përgjithshme të zhvillohen para kohës kushtetuese të vitit 2013″, përfundoi zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.