Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 12:29

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i vlerësoi të hënën si shumë të mira marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit, të cilat, sipas tij, po ecin në mënyrë intensive në fusha me interes reciprok.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet të Selisë së Shenjtë, Arqipeshkvin, Domenik Fransua Mamberti, Haxhinasto vuri në dukje marrëveshjet e nënshkruara në disa fusha, si në shëndetësi, turizëm dhe në fushën e arkivave.

Kjo e fundit sipas ministrit, krijon mundësinë për të gjetur thesare të panjohura më parë në arkivat e pasuritë e Vatikanit.

Më tej, kryediplomati shqiptar vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm që luan Kisha Katolike në Shqipëri lidhur me promovimin e vlerave të tolerancës dhe të respektit, vlera që përqafohen nga Shqipëria në rrugën e saj drejt BE-së.

Zv.kryeministri bëri të ditur se gjatë takimit u bisedua edhe për mundësinë që tani është koha që të ketë edhe Kardinal Shqiptar në Vatikan.

Gjithashtu Haxhinasto shprehu vlerësime edhe për angazhimin e Selisë së Shenjtë në financimin e veprave madhore në fushën e shëndetësisë, ku një prej tyre është Zonja e Këshillit të Mirë, një vepër shumë e rëndësishme si në aspektin universitar edhe ndaj shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

Ministri Haxhinasto vlerësoi veçanërisht vizitën e një delegati apostolik në Kosovë, duke e cilësuar si një hap shumë pozitiv për njohjen e realiteteve atje.

I pyetur në lidhje me një vizitë të mundshme të Papa Benediktit të 16-të në Shqipëri, Haxhinasto theksoi se ai në emër të autoriteteve shqiptare i ka paraqitur një ftesë Atit të Shenjtë dhe pritet që të shihet mundësia për një vizitë të tij vitin e ardhshëm në Shqipëri.

Nga ana e tij, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet të Selisë së Shenjtë, Arqipeshkvi, Domenik Fransua Mamberti, bëri të ditur se në takimet që do të zhvillojë me autoritetet më të larta shqiptare, do tu përcjell  urimet dhe përgëzimet më të mira të Papa Benediktit të XVI-të.

Ai shprehu kënaqësinë për punën e lavdërueshme që ka bërë dhe bën Kisha Katolike në Shqipëri.