Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 16:41

Tiranë – Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, mori pjesë sot në Takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore), i mbajtur në Budvë të Malit të Zi.

Kjo nismë rajonale grupon 12 vende anëtare: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Moldavia, Mali Zi, Maqedonia, Rumania, Sllovenia, Greqia, Serbia e Turqia.

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Haxhinasto theksoi rëndësinë e madhe që ka kjo nismë për bashkëpunimin rajonal dhe për forcimin e paqes, stabilitetit e prosperitetit të rajonit.

Ai theksoi se është një nga vlerat më të mëdha të kësaj nisme, që objektivat e saj përputhen plotësisht me ato të integrimit evropian, proces ku janë angazhuar gjithë vendet e rajonit.

Haxhinasto nënvizoi nevojën për konkretizimin e bashkëpunimit rajonal, në fusha të tilla si: infrastruktura rrugore dhe energjetike, shkëmbimet tregtare, siguria etj.

Ai tha se për zbatimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë nevojitet pjesëmarrja e të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën.

“Ballkani Perendimor”, tha Haxhinasto, “ndodhet në një fazë të rëndësishme drejt integrimit evropian, duke njohur njëkohësisht transformime pozitive. Por, ky proces bashkëpunimi dhe integrimi duhet të jetë gjithëpërfshirës, si një vlerë e rendësishme e kësaj nisme rajonale dhe e gjithë bashkëpunimit rajonal”.

Haxhinasto iu referua progres raporteve të BE-së për Kosovën dhe Serbinë, sipas të cilave BE-ja ka inkurajuar fuqishëm palët për të kërkuar zgjidhje praktike dhe pragmatike, me qëllim që Kosova të jetë pjesë e bashkëpunimit rajonal.

Në këtë kontekst, ai theksoi edhe njëherë nevojën dhe rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në të gjitha iniciativat rajonale.

Në kuadër të lëvizjes së lirë së qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, ai nënvizoi se lëvizja vetëm me karta identiteti biometrike në vendet e rajonit, mbetet një prioritet i Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit gjithpërfshirës rajonal.

Ministri Haxhinasto siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aktor aktiv dhe i besueshëm, në realizmin e axhendave të përbashkëta të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit europian.

Gjatë punimeve të Ministerialit të SEECP, zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm z. Haxhinasto pati takime dypalëshe me homologët e vendeve të rajonit.