Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 19:32

Tiranë – Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore (NEQ), që u zhvillua sot në Triestë të Italisë, kërkoi që Kosova të përfshihet në nismat rajonale.

Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, duke iu referuar karakterit rajonal të kësaj iniciative, ku Presidencën e radhës e mban Serbia, Haxhinasto kërkoi që edhe Kosova, si vend i rajonit, të përfshihet në organizatat rajonale.

“Ndërsa flasim për integrimin rajonal të Kosovës, flasim në të njëjtën kohë për integrimin e gjithë komuniteteve që jetojnë atje: shqiptarë, serbë, etj,. Kjo është një vlerë që do të nderonte secilin prej nesh si Europianë të vërtetë dhe të denjë”, tha Haxhinasto në fjalën e tij.

Sipas tij, “si një ndër bashkëpunimet e para rajonale në Evropë, kjo inisiativë është një rrugë e sigurt për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin midis vendeve anëtare”. “Së bashku duhet të punojmë në përballimin e sfidave në fusha të tilla si: energjetika, infrastruktura, lufta kundër trafiqeve, terrorizmi, etj”, tha ai.

Gjatë punimeve të Ministerialit të NEQ-it, Haxhinasto pati një takim edhe me Zëvendës Presidentin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Jan Fischer.

Fischer, ish Kryeministër i Republikës çeke, vlerësoi rezultatet e arritura deri tani nëpërmjet projekteve të Bankës në Shqipëri dhe siguroi se BERZH do të vazhdojë të mbetet aktiv në Shqipëri me projekte në fusha të tilla si: energjia, infrastruktura dhe transporti.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit theksuan se tashmë është koha që të gjitha vendet evropiane të jenë pjesë e projekteve të Bankës. Në këtë drejtim, ata theksuan se “Kosova duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota në BERZH”. Përfshirja e Kosovës në këto projekte, jo vetëm që do të ishte një ndihmë për vetë Kosovën, por do t’i jepte një dimension të ri projekteve rajonale dhe bashkëpunimit ndërkufitar.

Në takim morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, përfaqësues të Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe të disa nismave të tjera rajonale.