Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:44

Tiranë – Zv. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ka hedhur poshtë tezat e qarqeve serbe për ndarje apo shkëmbime territoresh.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në një intervistë televizive, i pyetur lidhur me idetë e vjetra dhe të reja që vazhdojnë të artikulohen nga Beogradi, kreu i diplomacisë shqiptare i cilësoi ato si “shprehje e tezave të vjetra, arkaike të dështuara tashmë në rajonin e Ballkanit”.

Duke vënë në dukje se shkëmbim territoresh do të thotë të krijojmë shtete etnikisht të pastra dhe të ndryshojmë kufijtë, Haxhinasto tha se ‘këto teza nuk janë aspak në përputhje me frymën e përgjithshme të rajonit, me procesin integrues të të gjithë vendeve të Ballkanit, me frymën e miqësisë që ekziston dhe që po forcohet çdo ditë midis vendeve të ndryshme të rajonit”.

Sipas tij, teza të cilat janë kundër kësaj fryme, dhunojnë procesin integrues të secilit vend dhe janë jo produktive dhe të dëmshme për secilin vend që i promovon apo i mbështet ato.

“Integriteti i Kosovës, moskthimi i saj para vitit `99, mosbashkimi i saj me një shtet tjetër, kanë qenë në themel të pavarësimit të saj. Ky ka qenë objektivi i madh i shqiptarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve të rajonit dhe për këtë punojmë dhe sot e kësaj dite, me qëllim që të ndihmojmë sa më shumë njohjet e reja të Kosovës, të statusit të pavarësisë që ajo ka fituar”, nënvizoi zv. kryeministri Haxhinasto.