Lajme Shqip Wednesday, 30 October 2013 22:32

Zgjedhjet lokale të kësaj fundjave, mund sjellin një lajm të keq nga Bashkimi Evropian për procesion integrues dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse ato nuk përmbushin standardet për zgjedhje të lira, të rregullta dhe demokratike.

 

Kështu janë shprehur Ambasadori gjerman në Kosovë Peter Blomeyer dhe ambasadorja franceze Maryse Daviet, në një intervistë në emisionin “Target” në RTK.

Ata që të dy kanë qenë të prerë për këtë temë, duke u shprehur se BE nuk do të lejojë në asnjë formë që një vend të ecë në integrimin drejtë saj, nëse aplikon veprime që janë në kundërshtim standardet e BE-së.

 

“Ne së bashku si BE, SHBA dhe Kombet e Bashkaura kishim një takim për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA), dhe ua bëmë të qartë të gjitha subjekteve politike se ndër kriteret kryesore për nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe për atë të liberalizimit të vizave, janë zgjedhjet e rregullta, të lira dhe demokratike. Ne kemi shumë vëzhgues në teren, dhe nëse pas zgjedhjeve vëzhguesit tanë dalin e na thonë se kishte probleme me zgjedhjet, atëherë do të ketë problem shumë të madhë në këtë proces të nisur me BE-në, por edhe në fusha tjera”, ka thënë ambasadorja Daviet, transmeton reporteri.net.  

“Ata që duah të ecin drejtë BE-së, duhet t’i respektojnë rregullat e demokracisë, dhe ata që nuk i respektojnë këto rregulla, janë kundër BE-së, dhe ne nuk do t’i pranojmë në asnjë formë që këto zgjedhje të mos i përmbushin standardet dhe kriteret evropiane”, është shprehur ambasadori Blomeyer.  

 

Sikurse ambasadorja amerikane në një deklaratë të më parshme, edhe ambasadorët e Gjermanisë dhe të Francës, janë shprehur se nuk do të duhej në asnjë formë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të organizohen pa përfundimin e reformës zgjedhore.

 

Ambasadorët francez dhe ai gjerman, të pyetur për fushatën zgjedhore dhe premtimet e politikanëve kosvarë, janë shprehur se nuk u intereson se cfarë dhe sa premtojnë politikanët e Kosovës, në këtë fushatë, dhe sipas tyre, kjo më shumë është punë e gazetarëve, të cilët do të duhet t’ua përkujtojnë këto premtime nëse ata i harrojnë ato pasi të kenë fituar postet e pretenduara.

Ambasadori gjerman ka thënë se deri tani fushata parazgjedhore, duke përjashtuar veriun, ka shkuar mirë, me një shqetësim të vogël, e që sipas tij ka të bëjë me presionin që po u bëhet punëtorëve civil për të marr pjesë në tubimet elektorale.

 

Ata kanë thënë gjithashtu se është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e serbëve të veriut në këto zgjedhje, por sipas tyre ata nuk do ta kenë të lehtë, pasi ka kërcënime nga ana e një grupi i cili kundërshton pjesëmarrjen në këto zgjedhje.