Lajme Shqip Sunday, 01 September 2013 13:02

Tiranë – Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, ne nje interviste per “Panorama” u përgjigjet akuzave të bëra nga Kryeministri Berisha për lidhjen e afërt familjare që ka me kryetarin e PS-së, Edi Rama.

Harito shprehet se është fis i largët me Ramën, nga ana e nënës së saj, por që nuk kanë shkuar mes tyre. Madje, sipas zonjës Harito, me Ramën nuk njihej fare deri në vitin 1992, kur janë takuar për herë të parë jashtë vendit.

Ajo, në vend të akuzave, priste një qëndrim më dinjitoz nga Kryeministri në detyrë pas humbjes. Harito shprehet se ka qenë një maturante e shkëlqyer, me “Medalje të artë”, që zgjodhi degën e re të Informatikës në atë kohë, ndërsa në Francë, pas studimeve të plota dhe doktoraturës, punoi si menaxhere në kompaninë e njohur në Europë, “Orange”.

Harito vlerëson zhvillimin e internetit në Shqipëri pas vitit 2009 dhe shprehet se qeveria ka projekte ambicioze për ta shtrirë atë në të gjitha shërbimet, duke minimizuar korrupsionin dhe shërbyer sa më mirë qytetarëve. Edhe projekti për përdorimin e Tablet-ave në shkolla, edhe pse i vështirë, mbetet një sfidë që do të arrihet.

 

Zonja Harito, ju ishit një nga prurjet e reja në PS si për programin, ashtu dhe për listën e deputetëve apo dhe si pjesë e kabinetit. Sa e lehtë ishte për ju të linit Parisin dhe jetën akademike dhe t’i përkushtoheshit politikës?
Së pari, diçka më konkrete për karrierën time, e cila kishte një komponent të vogël akademik, pra mësimdhënie në universitet. Pjesa kryesore e saj është karriera menaxheriale në një korporatë të madhe, “ORANGE”, operatori i dytë në Europë. Për t’i vendosur gjërat në kontekst, “ORANGE” ka një xhiro vjetore rreth 50 miliardë euro, mbi dyfishin e PBB së Shqipërisë. Karriera brenda një kompanie të këtyre përmasave dhe në një vend si Franca, me konkurrencë shumë të lartë në cilësinë e kuadrove që prodhon, kërkon shumë punë dhe një sërë aftësish. Gjithë kjo hyrje për të shpjeguar se angazhimi në politikën aktive në Shqipëri është vërtet diçka e re për mua, por konteksti ku kam jetuar më ka përgatitur për të përballuar vështirësitë. Për t’u kthyer te pyetja juaj konkrete, asnjë zgjedhje në jetë nuk është e lehtë. Çdo herë që zgjedh diçka detyrohesh të lësh mënjanë diçka tjetër. Çdo herë që ndërron profesion ose vend, diçka do të sakrifikosh e të tjera sfida të presin. Edhe kjo zgjedhje ka vështirësitë e veta, por është edhe një fat dhe besim i madh për të kontribuar në nivel të lartë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Ju keni studiuar për Informatikë, një degë që e fitonin ose ata maturantë që ishin absolutë, me “Medalje ari” (term i asaj kohe), ose që kishin mbështetje të fortë politike. Si e fituat këtë degë?
Shumë thjesht. Kam mbaruar gjimnazin “Sami Frashëri” me medalje ari, që do të thotë me notat maksimale në të gjitha lëndët dhe gjatë gjithë viteve. Sipas rregullave të kohës, kjo të jepte të drejtë të zgjidhje degën që dëshiroje. Meqenëse dëshira më kish shtyrë gjithnjë drejt atyre që quhen shkenca ekzakte dhe Informatika e sapohapur ishte shumë tërheqëse si shkencë e së ardhmes, pata fatin ta ndiqja në Fakultetin e Shkencave, me një cilësi të jashtëzakonshme pedagogësh të asaj kohe. Pikërisht ky nivel shumë i lartë i universitetit tonë ma bëri të thjeshtë integrimin e menjëhershëm në ambientin profesional në Francë sapo mbërrita atje në vitin 1991. Sidoqoftë, dy vjet më vonë vendosa të vazhdoj deri në fund ciklin shkollor në Paris, duke bërë doktoraturën në universitetin “Pierre et Marie Curie”, të aplikuar pranë qendrës së Inovacionit të France Telecom.

Kundërshtari juaj politik, vetë Kryeministri në detyrë Sali Berisha, ju ka akuzuar se ngjitja juaj në politikë ka ardhur vetëm pse jeni kushërira e kryetarit të PS, Edi Rama. Keni ju një koment për këto deklarata?
Pas së ashtuquajturës dorëheqje dhe pranim të rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, mendoj se do të kishte qenë më mirë për Shqipërinë nëse zoti Berisha do t’ia kishte dalë të mbante një qëndrim më dinjitoz.

Në të vërtetë, cila është lidhja juaj familjare me zotin Rama?
Zotin Rama e kam fis të largët, të gjashtë ose të shtatë. Madje, në këtë nivel, besoj se askush nuk i njeh më kushërinjtë. Por, nga ana e fisit të nënës sime, dikush ka qenë i pasionuar pas gjenealogjisë dhe e ka ndjekur e krijuar pemën e familjes deri në vitin 1560/Panorama/