Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 12:35

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj do ta padisë Kryetarin e Komunës së Pejës Gazmend Muhaxherin për shkak të deklaratave “fyese dhe shpifëse” në gazetën austriake Der Standard.

Për këtë, ka njoftuar Arianit Koci avokat i Haradinajt, në një letër, që ia ka drejtuar Muhaxherit, ku ka thënë se Kreu i Komunës së Pejës është duke keqpërdorur hapësirën mediale për qëllime politike. Koci ka shkruar se padia kundër Muhaxherit do të dorëzohet nesër në Gjykatë.

Muhaxheri, në një intervistë për Der Standard ka thënë se veprimet e fundit në skenën politike të Haradinajt kanë të bëjnë me betejën për pushtet, duke thënë po ashtu se Haradinaj fiton nga benzina dhe lojërat e fatit. Muhaxheri, Haradinajn e ka ndërlidhur edhe me vrasjet e pasluftës në Dukagjin.

Ja çfarë thuhet në letrën e Kocit drejtuar Muhaxherit.

I nderuari Kryetar i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri,

Po ju drejtohem në cilësinë e avokatit të z. Ramush Haradinaj, lidhur me deklarimet fyese dhe shpifëse kundër tij, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “Der Standard”.

Nuk është hera e parë që bëni deklarata të rrejshme, kundër z. Haradinaj.

Prandaj, kërkojmë që menjeherë t’i ndërpreni ato.

Deklarimet e Juaja, z. Muhaxheri, në lidhje me kinse sjelljen kriminale të klientit tim, gjithmonë paraqiten në momente të ndjeshme politike.

Natyrisht, kjo nuk ju bën nder politikisht, dhe në të njejtën kohë, ju bën përgjegjës ligjërisht.

Ju përkutoj që moslajmërimi i veprës penale nga ana e Juaj, përbën vepër penale sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prandaj, kryejeni obligimin qytetar: raportojeni krimin! Shkoni në Prokurori dhe kallëzoni krejt çka dini!

Por, mos harroni: kallëzimi i rrejshëm është vepër penale.

Mos e keqpërdorni hapësirën mediale për qëllime të pastërta politike. Me insinuata dhe deklarime të pavërteta, me dashje, keni ndërmarrë veprime në kundërshtim me frymën e vlerave të mbrojtura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve aplikative të Republikës së Kosovës.

Z. Haradinaj i është përgjigjur thirrjes së vendlindjes dhe popullit, në dy raste: edhe në luftë dhe në jetë civile.

Për më tepër, z. Haradinaj, në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, i është përgjigjur edhe instancës më të lartë ndërkombëtare ligjore: Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës – dy herë.

Besoj që e dini që ka dalë i pafajshëm. Madje, në rigjykim, gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar që z. Haradinaj, jo vetëm që nuk ka kryer krime të luftës, por ka bërë veprime aktive në parandalimin e tyre.

Qëllimi juaj i keq – per se – kundër klientit tim, nuk kontestohet, dhe kjo nuk është hera e parë.

Sigurisht e dini që deklarimet e juaja sanksionohen me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes të Republikës së Kosovës.

Prandaj, që nesër, në emër të z. Ramush Haradinaj, do ta dorëzoj padinë kundër jush.

Arianit Koci, Avokat