Lajme Shqip Wednesday, 25 June 2014 14:16

Nisën sot përpjekjet e para për bashkëpunim mes opozitës dhe maxhorancës, për miratimin e një reforme territoriale të përbashkët. Pavarësisht se ka një reformë të miratuar, për të cilën kanë nisur diskutimet në terren, kryeministri Rama ka lënë një hapësirë për Partinë Demokratike, në mënyrë që kjo e fundit të paraqesë propozimet e saj dhe të nisin diskutimet për të arritur një marrëveshje.

Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp theksoi se maxhoranca është në dispozicion të opozitës dhe nëse kanë një propozim ndryshe nga ai që është miratuar, ata janë të hapur për diskutime. 

Partia Demokratike nga ana e saj po përgatit katër projekte për ndarjen e re territoriale, e cila do të përbehet nga një numër i lartë njësish vendore në krahasim me variantin e miratuar nga komisioni parlamentar për Reformën Administrative. Por kjo gjë nuk e ka penguar mazhorancën që t’i hapë rrugë për t’u ulur dhe për t’u konsultuar. Burime bëjnë me dije se aktualisht, kanë nisur bisedimet e fshehta ndërmjet palëve për të arritur një marrëveshje në mënyrë që të miratohet me konsensus të përbashkët një ndarje administrative.